Bordi i Transparencës ul çmimet e karburanteve: Nafta jo më shumë se 180 lekë/litër
Bordi i Transparencës në mbledhjen e sotme ka vendosur ndryshimin e çmimeve tavan të shitjes për nënproduktet e naftës në tregun vendas.
Sipas vendimit, çmimi i shitjes me pakicë i gazoilit standard SSH EN 590 është përcaktuar jo më shumë se 180 lekë/litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë jo më shumë se 168 lekë/litër, duke e ulur me 3 lekë/litër.
Për benzinën, çmimi i shitjes me pakicë është vendosur jo më shumë se 168 lekë/litër, ndërsa ai me shumicë jo më shumë se 156 lekë/liter, duke e ulur me 2 lekë/litër.
Çmimet e reja hyjnë në fuqi sot, në orën 14:00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e radhës së Bordit të Transparencës, ku do të pasqyrohen ndryshimet e tregut.
Bordi u bën thirrje operatorëve të tregut të naftës që të zbatojnë vendimet në fuqi, ndërsa paralajmëron masa administrative deri në pezullimin e aktivitetit në rast shkeljesh.
Sa i përket gazoilit për peshkim, në bazë të përjashtimeve ligjore nga taksat dhe akciza, çmimi i tij rezulton 84 lekë/litër, sipas metodologjisë në fuqi.
Fraksion.com

