AktualitetPolitikëTë fundit

“Me qindra fakte dhe dokumente të paraqitura”, Berisha nga SPAK: Farsa elektorale e provuar, Dumani armik i votës së lirë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit sot në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”.

Pas daljes nga SPAK, Berisha mbajti një deklaratë për mediat, ku hodhi akuza ndaj kreut të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, duke e cilësuar atë si “armik të pluralizmit politik dhe të votës së lirë të shqiptarëve”.

Berisha tha se i ka dorëzuar Dumanit një letër, në të cilën, sipas tij, ngrihen shqetësime mbi trajtimin e dosjeve që lidhen me krimin zgjedhor.

“Altin Dumani është monstra e votës së lirë të shqiptarëve. Nga 48 dosje të shqyrtuara për krimin zgjedhor, është penalizuar vetëm një”, deklaroi Berisha.

Kreu i opozitës pretendoi se parregullsitë në procesin zgjedhor janë evidentuar edhe në raportet dhe vlerësimet e organizmave ndërkombëtarë, duke përmendur OSBE/ODIHR-in, Këshillin e Evropës, Parlamentin Evropian dhe misione të tjera vëzhguese.

“Ndërkohë që farsa elektorale zgjedhore është universalisht e konfirmuar tashmë nga OSBE/ODIHR që vëzhgoi zgjedhjet, nga deputetët e Këshillit të Evropës, nga deputetët e Parlamentit Evropian, nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian dhe IBAR”, tha Berisha.

“Me qindra fakte dhe dokumente të paraqitura nga opozita, por që të gjitha këto për armiqtë e votës së lirë janë hiç asgjë ose nuk ekzistojnë”, theksoi Berisha.

Berisha u shpreh se sulmet ndaj prokurorëve të SPAK kanë qenë të lidhura para së gjithash dhe mbi të gjitha me qëndrimin e tyre ndaj dosjeve të zgjedhjeve në Dibër dhe Durrës.

“Me atë akt ata dëshmuan në mënyrë flagrante armiqësinë ndaj votës së popullit opozitar”, tha Berisha.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com