Ekspertja: Shumë profesione do të reduktohen nga inteligjenca artificiale
Teksa inteligjenca artificiale po depërton me shpejtësi në çdo sektor të jetës dhe po transformon mënyrën se si punojmë, mësojmë dhe krijojmë, dyshimi nëse vlera e talentit po humbet përballë fuqisë së teknologjisë, po bëhet gjithnjë e më e pranishme. Tashmë që AI është në gjendje të gjenerojë përmbajtje dhe zgjidhje në pak sekonda, pyetja qëndron te fakti nëse suksesi po lidhet më shumë me aftësinë për të përdorur inteligjencën artificiale apo me talentin dhe njohuritë e gjithsecilit.
Për të diskutuar këtë temë, në emisionin “Aldo Morning Show”, këtë të hënë, më 15 qershor, ishte e ftuar pedagogia dhe ekspertja e IT-së, e cila nuk minimizoi tashmë aspak rëndësinë e përdormit të inteligjencës artificiale, pavarësisht disavantazheve të tij.
“Talenti është mbret dhe besoj se do të vazhdojë të qëndrojë mbret, por përveç talentit që secili nga e ka, ne duhet t’i gjejmë mënyrën e duhur për ta kombinuar me inteligjencën artificiale. Sot më i aftë është ai person që i kombinon të dyja. ”
“Inteligjenca artificiale është një revolucion teknologjik dhe si çdo revolucion, na sjellin transformime të ndryshme, i tillë është edhe transformimi i profesioneve tona. Nuk mund të themi që AI na zëvendëson 100%, po sigurisht që ka profesione që tashmë i ka zëvendësuar në nivele fillestare apo në nivele ‘junior’, siç është profesioni i programuesve. Ka profesione të tjera si përkthyesit që mund të themi tashmë që deri në një pikë janë zëvendësuar… Kemi profesione si marketingu digjital i cili është zëvendësuar 100%, më vjen keq të përmend dhe gazetarinë… jo se është në rrezik po një përqindje të madhe të të gjitha shkrimeve do të gjenerohen me AI. AI nuk mund të jetë në kohë reale në vendngjarje por do të kemi reduktim të këtyre profesionistëve. Do të prekja gjithashtu dhe sistemin e drejtësisë, pasi inteligjenca artificiale mund të marrë një dosje të bëjë analizën e detajuar por është edeh avokati për disa interpretime ligji. Edhe në këtë rast do të kemi reduktim por jo plotësisht zëvendësim.”
“Është në avantazh, por e theksoj jo100% inteligjencë artificiale, por puna e cila i kombinon të dyja. Nëse do të flisja për Shqipërinë, fatkeqësisht të gjithë të rinjtë nuk përpunojnë fare informacion, vetëm vendosin një pyetje dhe marrin një informacion të drejtpërdrejtë, të papërpunuar. Vendet e tjera, AI-në e përdorin si një mjet në ndihmë të arsimit dhe kur përdoret në këtë mënyrë sigurisht që zhvvillohemi dhe e përdorim në mënyrën e duhur. Këtu është roli kryesor, ai i mësuesit, i cili është një nga profesionet, i cli theksohet dhe nga studiues që nuk mund të zëvendësohet nga AI.”
Një tjetër aspekt që ajo veçoi ishte rritja e produktivitetit, veçanërisht për profesionistët që dinë ta përdorin teknologjinë në funksion të punës së tyre.
Ndërsa përfitimet janë të dukshme, ekspertja ngriti edhe shqetësimin për ndikimin që përdorimi i tepruar i inteligjencës artificiale mund të ketë tek zhvillimi i mendimit kritik, kreativitetit dhe aftësive analitike, veçanërisht te brezat e rinj.
“Sot po lobohet në gjithë botën dhe po ngrihen politika se si tek fëmijët dhe tek të rinjtë këto aftësi të vazhdojnë të zhvillohen sa më shumë. Ekziston rreziku që brezat e ardhshëm të jenë më pak kreativë deri në momentin, që në nuk gjejmë mënyrat e duhura dhe mjetet e duhura që ta zhvillojmë kreativitetin tek fëmijët dhe tek të rinjtë. Po flasim për një zhvillim teknologjik dhe këtu duhen trajnuar fillimisht të gjithë mësuesit dhe pedagogët, të cilët më pas të gjejnë mënyrat e duhura që të trajnojnë fëmijët dhe të rinjtë se si të zhvillojnë analizën, mendimin kritik, kreativitetin .”
Në përfundim, ajo u shpreh se e ardhmja nuk i përket as talentit të vetëm dhe as inteligjencës artificiale të vetme, por kombinimit të tyre. Sipas saj, AI mbetet një krijim i njeriut dhe nuk do të mundë dot të zëvendësojë elementët më të rëndësishëm të natyrës njerëzore, si imagjinata, intuita, karakteri dhe shpirti krijues.
Ekspertja theksoi gjithashtu se sfida e kohës është të mësojmë si të përfitojmë sa më shumë nga teknologjia, duke kursyer kohë për t’iu kushtuar më pas pasioneve, hobive dhe dëshirave tona.
Fraksion.com

