AktualitetPolitikëTë fundit

Aksioni i SPAK ndaj Artur Shehut dhe Ilir Shufit, Berisha: Spanjollët sollën dosjen e plotë, Dumani nxori vetëm emrat e biznesmenëve

Pas zbatimit të masës së sigurisë ‘detyrim paraqitje’ në SPAK, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha dha një prononcim për mediat, ku komentoi aksionin e Prokurorisë së Posaçme ndaj Artur Shehut dhe Ilir Shtufit.

Berisha u ndal te ish-kreu i SPAK, Altin Dumani, për të cilin e akuzon se ka nxjerrë vetëm emrat e biznesmenëve, dhe jo dosjen e plotë.

“Por sot unë dua të informoj shqiptarët se çfarë mercenarësh të pushtetit ka kjo ndërtesë. Prej 3 vitesh, shqiptarët dëgjojnë dhe kanë dëgjuar takimin famëzi në Aruba të përfaqësuesve të qeverisë shqiptare me bosët e karteleve të drogës. Prania e përfaqësuesve të qeverisë shqiptare në Aruba është konfirmuar nga gazetari investigativ, ndër më seriozët, i Italisë. Është konfirmuar nga mediat dhe kjo dihet universalisht.

Aruba është damka më e zezë, është dëshmia më flagrante e narkoshtetit shqiptar, e bashkëpunimit të ngushtë të Edi Ramës me kartelet e drogës.

Tani, çfarë ndodh këto ditë? Këto ditë, autoritetet spanjolle, dhe jo vetëm ato, kanë sjellë dosjen e plotë, se këtu nuk bëhet asnjë hetim. Jo, jo, e ndaluar po të jetë për qeverinë.

Pra, sollën dosjen e plotë dhe tani Altin Troplini Rama, vërini çdo mbiemër se i meriton, nxjerr me të drejtë emrat e biznesmenëve të implikuar, por jo të qeveritarëve.

Shikoni se sa të pafytyrë janë. Shikoni se si këta mbrojnë kriminelët në zyrat më të larta të shtetit. A ka njeri që nuk e di sot se në çarterin për në Aruba shkuan qeveritarët? Kush ishin ata? Asnjëri nuk e thotë se kush ishin. Dhe ky është Altin Troplini që e fsheh. Ky është hetimi i tij.

Por unë e garantoj se në këtë mënyrë ai do konsiderohet bashkëpunëtor me klanin Aruba. A mund t’i fshihet një populli zyrtari kriminel që fluturon nga Tirana në Aruba, që bën marrëveshje për thithjen e parave të drogës, ndërtimin e Malit të Tiranës dhe thuhet edhe në zona të tjera? Dhe tani dalin emrat e biznesmenëve që kanë shkuar, por nuk dalin emrat e qeveritarëve që shkuan dhe firmosën marrëveshje.

Se mafia nuk firmos, i ka kodet e fshehta. Tani Omertën e zbaton Altin Troplini. Faqezi i them. Ke detyrime ndaj shqiptarëve. Se tani do t’u thuash se është punë sekreti”, tha Berisha.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com