AktualitetNATO/BETë fundit

Shenja që Kremlini kërkon luftë me NATO-n

Nga Mimoza Golikja

Rutte vlerësoi rolin e rëndësishëm të Norvegjisë në forcimin e sigurisë së aleatëve, përfshirë pjesëmarrjen në policimin ajror, kontributet në Forcat Tokësore të Përparuara të NATO-s, lidershipin në organizimin e ushtrimeve të mëdha të NATO-s në Veriun e Lartë, si dhe rolin kryesor të Norvegjisë në mbështetjen e Ukrainës që nga fillimi i pushtimit nga Rusia.

Shpenzimet bazë të mbrojtjes së Norvegjisë u rritën në mbi 3% të PBB-së vitin e kaluar, nga mbi 2% që ishin në vitin 2024.  “Kjo është vërtet mbresëlënëse dhe pikërisht ajo, që duhet të shohim në të gjithë Aleancën”, tha Sekretari i Përgjithshëm.

Rusia ndërton bazat, përgatitet për konflikt me NATO-n 

“Rusia po zhvillon baza ushtarake për deri në 115.000 trupa përgjatë kufijve të saj me vendet e NATO-s në rajonin e Detit Baltik dhe mund të jetë duke u përgatitur për konflikt”, kanë paralajmëruar zyrtarët e inteligjencës skandinave.

Transmetuesit norvegjezë, suedezë dhe danezë dhe një portal lajmesh në Detin Baltik, raportuan më 10 qershor se imazhet satelitore tregojnë se forcat ruse po ndërtojnë dhe zgjerojnë bazat e tyre ushtarake përgjatë kufirit me vendet nordike dhe baltike. Zyrtarët danezë të inteligjencës dhe zyrtarët e lartë ushtarakë i thanë kompanisë daneze të transmetimit DR se forcat ruse po angazhohen në përgatitje për konflikt në vend, që të tregojnë shenja se Kremlini, po konfirmon se ka marrë një vendim për të shkuar në luftë, veçanërisht pasi shumica e forcave ruse ende po luftojnë në Ukrainë.

Ish-oficeri i inteligjencës finlandeze, Marko Eklund, i tha DR se “komanda ruse planifikon të ketë rreth 115.000 trupa të stacionuara në kufirin verior me NATO-n pas përfundimit të luftës në Ukrainë” dhe se forcat ruse “filluan ndërtimin e një baze të re në Novaya Vilza pranë Petrozavodsk , afërsisht 190 kilometra nga kufiri finlandez, Republika e Karelias, e cila do të akomodojë midis 4,000 dhe 6,000 personel.

Shefi i Ushtrisë Finlandeze, gjithashtu, Pasi Valimaki, i tha transmetuesit suedez SVT se “Finlanda pret që Rusia të stacionojë 80,000 ushtarë në kufirin Rusi-Finlandë”.

Një burim që raporton mbi Grupimin Verior të Forcave Ruse pohoi se komanda ruse po zhvendos elementë të paspecifikuar të Korpusit të 44-të të Ushtrisë, Distrikti Ushtarak i Leningradit, përveç postit të komandës, në Republikën e Karelias. Burimi pohoi se elementët e postit të komandës janë aktualisht të stacionuar në Luga, Oblasti i Leningradit, dhe kanë pritur të zhvendosen në Petrozavodsk kur Rusia të përfundojë ndërtimin e bazave, sipas ISW.

Një bloger rus i Kremlinit pretendoi më 11 qershor se “forcat ruse po modernizojnë të paktën 19 kazerma, infrastrukturë dhe objekte magazinimi në Pechenga (rreth 11 kilometra nga kufiri finlandez) në Gadishullin Kola, Oblastin Murmansk dhe po zgjerojnë një bazë detare këmbësorie dhe një flotë mjetesh të blinduara dhe mjetesh zbarkimi pranë Baltiysk, Oblastin Kaliningrad”.

Rusia po i krijon këto baza për të mbështetur veprime të mundshme ushtarake në të ardhmen kundër NATO-s, megjithëse operacione të tilla tokësore mbeten të pamundura, pasi shumica e fuqisë luftarake të Rusisë po merr pjesë në operacione në Ukrainë. “Ngritja e këtyre bazave do të mbështesë përpjekjet ruse për të projektuar më shpejt forcat kundër NATO-s pas përfundimit të luftimeve aktive në Ukrainë”, thonë analistët e ISW,  prandaj  “NATO duhet të jetë e përgatitur për të penguar dhe, nëse është e nevojshme, për të mposhtur një kërcënim rus kundër kufijve të saj relativisht shpejt pas përfundimit të luftimeve në Ukrainë”.

Njësitë ukrainase të dronëve kanë kontroll të vazhdueshëm

Por nga ana tjetër Forcat ukrainase duket se kanë arritur një tejkalim taktik të dronëve në fushën e betejës dhe po intensifikojnë fushatën e sulmeve me rreze të mesme, duke raportuar se kjo ka çuar në rritjen e viktimave ruse në fushën e betejës, mes rënies së normave të rekrutimit. Komandanti i Përgjithshëm Ukrainas, gjenerali Oleksandr Syrskyi, raportoi më 11 qershor se “dronët ukrainas FPV i tejkalojnë dronët rusë FPV në fushën e betejës me një raport prej 1.5 me 1”, dhe se ky avantazh është në rritje.

Syrskyi deklaroi se Forcat e Sistemeve Pa Pilot të Ukrainës goditën pothuajse 180,000 objektiva të verifikuara vetëm në maj 2026, 27 përqind më shumë se në prill 2026. Syrskyi deklaroi se forcat ukrainase kryen afërsisht 2,000 sulme me rreze të mesme,  përfshirë ato kundër 414 selive, pikave të kontrollit dhe përqendrimeve të personelit rus vetëm në maj 2026. Syrskyi shtoi se forcat ukrainase përfunduan 12.500 detyra në vijën e frontit duke përdorur automjete tokësore pa pilot, UGV.

Edhe Presidenti finlandez Alexander Stubb deklaroi më 7 qershor se forcat ukrainase vranë ose plagosën rreth 35,000 ushtarë rusë në muaj, ndërsa forcat ruse rekrutuan rreth 27,000 ushtarë në muaj, në gjashtë muajt e fundit. Stubb vuri në dukje se raporti i ushtarëve të vrarë rusë me ushtarët ukrainas është tetë me një, nga tre me një, që ishte më parë. Ai shtoi se forcat ukrainase “qëlluan më shumë raketa dhe dronë drejt Rusisë sesa mbrojtja ruse mundi të sprapste për herë të parë në mars 2026”. Gjithashtu edhe  gjenerali Syrskyi raportoi në mënyrë të ngjashme më 11 qershor se “forcat ukrainase vranë 12.500 ushtarë rusë më shumë sesa forcat ruse arritën të rekrutonin që nga fillimi i vitit 2026”, një shifër në përputhje me deklaratën e Stubb.

Syrskyi vuri në dukje, duke cituar informacione nga inteligjenca ushtarake, se “forcat ruse po përballen me mungesë personeli në njësitë e sistemeve pa pilot”, dhe se “vetëm 14.500 njerëz nënshkruan kontrata shërbimi ushtarak me Ministrinë ruse të Mbrojtjes”,  21 përqind e planit vjetor të rekrutimit për specialistë të dronëve dhe sistemeve pa pilot.

Kriza energjitike në rritje 

Ukraina ka rritur fushatën e saj të sulmeve me rreze të mesme kundër logjistikës, pajisjeve ushtarake dhe fuqisë punëtore ruse që nga fillimi i pranverës 2026, gjë që ka penguar përparimet ruse në të gjithë teatrin e luftës dhe po prish rrugët logjistike ruse në të gjithë Ukrainën e pushtuar, veçanërisht në atë jugore dhe në Krimenë e pushtuar. Forcat ruse po përballen njëkohësisht me një shkallë në rritje të viktimave që kohët e fundit ka tejkaluar shkallën e rekrutimit të Rusisë në fund të vitit 2025 dhe gjatë gjithë vitit 2026.

Autoritetet ruse të pushtimit po përpiqen të adresojnë mungesat e përkeqësuar të benzinës në Sevastopolin e pushtuar, “me shumë mundësi për shkak të sulmeve ukrainase me rreze të gjatë dhe të mesme veprimi kundër infrastrukturës logjistike dhe energjetike ruse”. Guvernatori i Sevastopolit të pushtuar, Mikhail Razvozhaev, deklaroi më 10 qershor se “administrata e Sevastopolit nuk ishte në gjendje të lëshonte një grup të ri kodesh QR për blerjet e karburantit, pasi kamionët e karburantit nuk mund të arrinin në Sevastopol më 9 qershor”, për arsye të paspecifikuara. Razvozhaev më 6 qershor, i kërkoi klientëve të përdorin një kod QR, të cilin qytetarët mund ta përdorin vetëm përmes aplikacionit Max Messenger të kontrolluar nga shteti rus, për të blerë benzinë në Sevastopolin e pushtuar. Autoritetet e pushtimit të Krimesë kanë shtrënguar gjithnjë e më shumë kufizimet për blerjen e benzinës në javët e fundit, pasi fushata e suksesshme e sulmeve të Ukrainës kundër arterieve ruse të transportit ka shkaktuar mungesa të benzinës dhe mallrave bazë në Krimenë e pushtuar. Autoritetet e pushtimit kanë ulur kufizimet në 20 litra (5.283 gallonë) në javë nga kufizimi i mëparshëm prej 20 litrash në ditë, ndërsa mungesat vazhdojnë të përkeqësohen.

Fushata dezinformini të prodhuara me Inteligjencë Artificiale

E ndërkohë Ministria ruse e Mbrojtjes vazhdon të sajojë prova si pjesë e përpjekjeve të saj të luftës njohëse për të mbështetur pretendime të rreme për avancim në fushën e luftës. Ajo postoi pamje filmike më 11 qershor, të cilat sipas saj tregonin elementë të Regjimentit të 126-të të Pushkëve të Motorizuara Ruse, duke pushtuar Okhrimivka-n, në verilindje të qytetit të Kharkiv. Një kanal lokal Telegram i Oblastit të Kharkiv theksoi më 11 qershor se kanali zyrtar Telegram i Grupimit Verior të Forcave ruse kishte postuar të njëjtat pamje filmike më 10 qershor, duke pretenduar se tregonin forcat ruse duke goditur forcat ukrainase pranë Ruska Lozova-s, pak në veri të qytetit të Kharkiv dhe afërsisht 66 kilometra nga Okhrimivka. Rusia ka rritur sofistikimin e përpjekjeve të saj të luftës njohëse gjatë disa muajve të fundit, duke prodhuar montazhe më komplekse dhe me prodhim të lartë dhe duke përdorur pamje filmike të inteligjencës artificiale (IA) me pretendime për përparim në zonat ku forcat ruse nuk mbajnë pozicione të qëndrueshme. Këto video janë pjesë e përpjekjes sistematike të luftës njohëse të Kremlinit për të zmadhuar përparimet ruse përmes pretendimeve të ekzagjeruara për fitime dhe misione infiltrimi, për t’i paraqitur ato si një përparim gjithëpërfshirës dhe të gjerë, dhe për të paraqitur në mënyrë të rreme vijën e frontit të përmbysur në të gjithë teatrin e luftës, në kundërshtim provat ekzistuese dhe faktet./TemA

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com