“Mijëra qytetarë në shesh për largimin e Ramës”, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë: Kërkesat e protestuesve po trajtohen me arrogancë! Thirrja për institucionet
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) ka reaguar lidhur me protestat qytetare që po zhvillohen prej 12 ditësh në Tiranë, duke theksuar se kërkesat e protestuesve duhet të trajtohen me vëmendje, dialog dhe transparencë institucionale.
KASH shprehet kritik ndaj mënyrës së trajtimit të disa kërkesave të protestuesve, duke dënuar çdo qasje “arrogante apo shpërfillëse” ndaj shqetësimeve qytetare. Sipas këshillit, në një shoqëri demokratike është thelbësore që vendimmarrja të shoqërohet me konsultim publik dhe llogaridhënie.
Këshilli u bën thirrje institucioneve shtetërore, investitorëve dhe shoqërisë civile që të angazhohen në dialog konstruktiv, me qëllim forcimin e shtetit të së drejtës dhe mbrojtjen e interesit afatgjatë të vendit.
Reagimi i plotë:
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) shpreh mbështetjen e tij për të drejtën themelore dhe demokratike të qytetarëve shqiptarë për të protestuar paqësisht në mbrojtje të interesave kombëtare, pasurive publike, mjedisit dhe trashëgimisë natyrore të vendit. Protestat e fundit përcjellin mesazhe të qarta dhe legjitime, të cilat meritojnë vëmendje, dialog dhe transparencë nga institucionet shtetërore.
Vetëm në këtë mënyrë Shqipëria mund të përmbushë detyrimet që rrjedhin nga procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke garantuar respektimin e pronës private dhe të drejtave të ligjshme të qytetarëve, duke promovuar një model zhvillimi në bashkëpunim dhe në shërbim të komunitetit, si dhe duke kundërshtuar e parandaluar çdo përpjekje korruptive që cenon integritetin e këtyre proceseve dhe besimin e publikut tek institucionet.
Këshilli shpreh shqetësimin për mënyrën se si janë trajtuar disa nga kërkesat e protestuesve dhe dënon çdo qasje arrogante apo shpërfillëse ndaj shqetësimeve qytetare. Në një shoqëri demokratike, dëgjimi i zërit të qytetarëve, konsultimi publik dhe llogaridhënia janë pjesë e pandashme e vendimmarrjes së përgjegjshme.
KASH mbështet investimet e huaja strategjike që sjellin zhvillim ekonomik, vende pune dhe modernizim për Shqipërinë. Megjithatë, çdo investim i tillë duhet të bazohet në transparencë të plotë, respektim rigoroz të ligjit, mbrojtje të mjedisit dhe garantim të interesit kombëtar.
Veçanërisht kur bëhet fjalë për zona me rëndësi strategjike, bregdetare apo ekologjike, është e domosdoshme që proceset vendimmarrëse të jenë transparente, të konsultuara me publikun dhe komunitetet e prekura, si dhe të shoqërohen me garanci të qarta për mbrojtjen e sovranitetit, pronës publike dhe pasurive kombëtare.
KASH u bën thirrje institucioneve shtetërore, investitorëve, komuniteteve lokale dhe shoqërisë civile të angazhohen në një dialog të hapur dhe konstruktiv, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm, forcimit të shtetit të së drejtës dhe mbrojtjes së interesit afatgjatë të Shqipërisë.
Fraksion.com

