AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha: DASH hoqi “non gratën” ndaj meje dhe familjes time

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka një tjetër reagim sa i takon heqjes së “non gratës” nga Shtetet e Bashkuara. Përmes një postimi në Facebook, ai rikonfirmon se Departamenti Amerikan i Shtetit, e ka hequr atë sanksion për të dhe familjarët e tij, duke e cilësuar një korrigjim të një vendimi të padrejtë të marrë më herët.

Falenderon administratën e presidentit amerikan, Donald Trump, dhe Sekretarin Marco Rubio.

“Të dashur miq! Që nga dita e djeshme, pas një rishqyrtimi të thelluar nga Departamenti i Shtetit të çështjes time, unë dhe familjarët e mi nuk jemi më të privuar nga mundësia e udhëtimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, dje u korrigjua një vendim i padrejtë i administratës së mëparshme të SHBA-ve ndaj meje dhe familjes sime.

Me këtë rast, dua të falënderoj administratën e Presidentit Trump dhe Sekretarin Rubio për korrigjimin e këtij vendimi të padrejtë, i cili ishte i bazuar fund e krye në lobimin korruptiv të Edi Ramës dhe mentorit të tij, George Soros.

Unë falënderoj gjithashtu familjen time, miqtë e mi shqiptar dhe të huaj, bashkëpunëtorët e mi, anëtarët dhe mbështetësit e PD-së për solidaritetin dhe mbështetjen e tyre të tejet të çmuar, të cilën e dëshmuan ndaj meje në sagen time për të vërtetën dhe dinjitetin njerëzor.

Mirënjohje të veçantë dua t’u shpreh sot mbi gjysmë milioni qytetarëve shqiptarë, të cilët, në kushtet tejet të vështira të një autokracie elektorale dhe një narkoregjimi, votuan për mua dhe Partinë Demokratike.

Duke përfunduar, ftoj anëtarët dhe mbështetësit e Partisë Demokratike të vazhdojmë pa rreshtur përpjekjet tona për rikthimin e votës së lirë dhe të ardhmes së merituar të qytetarëve shqiptarë”, shkruan Berisha.


 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com