“Struc i Nartës”, Zhupa-Jaupajt: S’të vjen pak turp? S’ta kanë thënë që je ministër i Mjedisit, jep dorëheqjen dhe shijo jetën
Deputetja demokrate Ina Zhupa zhvilloi një interpelancë me ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj duke ngritur pikëpyetje mbi investimin e planifikuar në Zvërnec dhe ndikimin e tij në mjedis. Zhupa tha se Narta është Zonë e Mbrojtur ( e katëgorisë V), duke theksuar se si miratohet rrethimi i territorit apo si lejohet ndërhyrja në duna pa vlerësimin e ndikimit në mjedis. Zhupa tha se është ndryshuar ligji i zonave të mbrojtura për t’i hapur rrugë investimeve të tilla.
“A bini ju dakord me faktin se mund të jetë pronë private brenda zonës së mbrojtur dhe mund të trajtohet si parcelë ndërtimi e zakonshme, apo statusi mjedisor përcakton vlerën ekologjike dhe jo pronësinë mbi tokën? A jeni ju ai që i jeni përgjigjur Komisionit Europian se e keni pezulluar projektin dhe a kishte një projekt? Sepse jeni i njëjti individ që keni thënë se nuk ka projekt, ndërkohë që përmenden shifra konkrete. Ka dokumente që tregojnë se 4 leje janë dhënë për atë projekt.
Sqaroni, a ka leje zhvillimi, a ka leje ndërtimi, a ka projekt apo nuk ka? Si është dhënë miratimi apo dakordësia për leje zhvillimi pa vlerësim të ndikimit në mjedis? Ndërkohë që detyrimi është që ky proces të ndodhë para se të jepet leja e zhvillimit. A mund të miratohen rrethime, rrugë aksesi dhe ndërhyrje të tjera pa u vlerësuar ndikimi mbi dunat, pyllin bregdetar dhe korridoret ekologjike?
Nëse e keni pezulluar, me çfarë akti ligjor e keni pezulluar? Cilën leje keni pezulluar? Kush e ka nxjerrë aktin, në cilën datë dhe a është komunikuar me subjektin zhvillues? Keni ndryshuar ligjin e zonave të mbrojtura për t’i hapur rrugë investimeve të tilla dhe për të mos pasur më ndalesa për të zhvilluar ku të doni dhe çfarë të doni. Na thoni: a jeni dakord që duhet të shfuqizohet ligji i zonave të mbrojtura? Na thoni: ka më shumë rëndësi të mbrohet zona e mbrojtur apo të shkatërrohet?”, tha Zhupa.
Duke e cilësuar ministrin e Mjedisit “struci i Nartës” sepse s’iu përgjigj pyetjeve të saj, deputetja Ina Zhupa tha se për Zvërnecin s’ka pasur asnjë miratim për të vijuar me ndërtimin, por ndërkohë ka pasur rrethim.
Me tone të ashpra, demokratja i tha Sofjan Jaupajt se me rolin e tij, shqetësimi parësor duhet të ishin zonat e mbrojtura dhe ruajtja e tyre. Zhupa tha se nuk mori përgjigje nëse ka pezullim të projektit, ndërsa kërkoi llogari për marrjen e masave dhe shfuqizimit të ligjit për zonat e mbrojtura.
“Nuk the ku është publikuar, ku është konsultuar dhe a është miratuar. Ndërkohë që nuk miratuar asgjë, atje ti kishte buldozerë e rrethim. Nuk na the që janë dhënë jo 1, por 4 leje për atë zonë atje. Është dhënë dhe kjo është përgjigje zyrtare nga AZHT. Këto s’mund të bëheshin pa konsultime me ekspertët. Këto do të ishin të pamundura nëse nuk do ta kishit ndryshuar ligjin. Ju u fshehët duke bërë të paditurin sepse vetëm zbatonit urdhrat. Punimet përgatitore nuk janë punime neutrale, janë vetë me ndikim mjedisor. Ajo që bëni sot është thjesht tallje me shqiptarët. Shqiptarët e kanë ngritur këtë shqetësim sepse janë pro mbrojtjes së Shqipërisë. Je ministër i Mjedisit, shqetësimi yt i parë duhet të ishin zonat e mbrojtura, pastrimi i tyre, mbrojtja e florës, faunës dhe ruajtja e tyre. Shqetësimi i parë duhet të ishte që ta kenë mbrojtjen 100% me ligj. Nuk ktheve përgjigje, por do të them unë për ty atë që ke frikë të thuash: ky projekt s’mund të bëhej. Turizmi nuk zhvillohet me vila individuale në zona të mbrojtura. A është pezulluar projekti të pyeta? Nuk the asnjë përgjigje. Kryeministri thotë jo, s’di as kujt t’i besoj se gënjeni të gjithë. Na e thoni, thojuani shqiptarëve. Nuk ka pronar zona e mbrojtur, pasuria publike! Kush janë masat që do të merrni për ta mbrojtur zonën e mbrojtur? Kur do ta shfuqizoni ligjin, kur të jepni gjithë Shqipërinë? Këtej doni të shuani protestën, këtej i thoni BE të tjera BE! Të tjera thoni, të tjera bëni! Në ato 3 minuta që ke, kthe ndonjë përgjigje që të mbahesh mend që je ministër!”, tha Zhupa.
Pasi ministri Sofjan Jaupaj tha se politikat e ndjekura nga qeveria shqiptare “janë arsyeja pse Shqipëria sot është më afër se kurrë BE”, deputetja Ina Zhupa iu drejtua sërish me fjalët “struc i Nartës.”
Duke i thënë se fjalët e ministrit të Mjedisit nuk lidheshin aspak me interpelancën, Zhupa u shpreh se Zvërneci tregon sesi nuk duhet të funksionojë një shtet.
“Sinqerisht, nuk keni pak turp? Sinqerisht dhe miqësisht, flet për agroturizmin e bujqësinë, ndoshta s’ta kanë thënë, e di që je ministër i Mjedisit? U solle gjithë kohën si struci i Nartës, ministri i Mjedisit nuk thotë asnjë fjalë për pyetjet që i bëhen e zonat e mbrojtura. Kjo interpelancë është pasqyrë e qartë e asaj që ndodh në shtetin shqiptar. Disa ministra që nuk e dinë çfarë bëhet. Ca ligje të bëra me porosi, ca ministra që as pyetjeve më minimaliste s’u kthejnë dot përgjigje sepse Zvërneci është kthyer në simbolin e ankthit të shtetit, shikojmë mënyrën sesi nuk duhet të funsionojë një shtet”, tha Zhupa.
Ndërsa foli edhe për protestën e Zvërnecit, deputetja demokrate ‘këshilloi’ ministrin të jepte dorëheqjen.
“Krenaria e secilit protestues atje është që është në anën e drejtë të historisë, do të thotë isha aty kur rrëzuam Ramën, jam shqiptar dhe krenar për historinë tonë të përbashkët, për trashëgiminë tonë të përbashkët. Nëse keni pak dinjitet, në fund të kësaj interpelance, jepni dorëheqjen dhe vazhdoni të shijoni jetën”, tha Zhupa.
Fraksion.com

