“Protesta në Bulevard goditje për dyshen”, Topi sulmon Ramën dhe Berishën: Kanë bërë marrëveshje që nga 2008
Ish-Presidenti i Republikës, Bamir Topi mbështet hapur protestën. Topi te emisioni “Koha jonë-debat” i Nikoll Lesit thekson se kjo protestë është antisistem, pra kundër një politike që e ka shkatërruar shtetin ndër vite, ku dy janë kryesorët që mbajnë njeri tjetrin, Rama dhe Berisha. Madje ai shton se më i ekspozuar drejt ‘rrezikut’ është Berisha.
“Gjëra interesante po bëhen në atë shesh. Ai shesh gjithmonë ka pasur gjëra interesante, por këtë herë ka diçka të veçantë. “Shkak për përplasje” për konfrontim e përballje. Është pasojë e një situate që prej kohësh akumulohet. Është krijuar iluzioni që kjo protestë ka vetëm një personazh përballë, sikur ka vetëm kryeministrin Rama para. Por ajo protestë, që është shkak për përballje, është vendosur kundër sistemit politik. Nisi nga një person që u tërhoq zvarrë nga policia private, dhe indiferenca e policisë së Shtetit. Kjo tregoi se Policia e Shtetit bëhet instrument politik i kryeministrit. Na ndodh që jo rrallë të konstatojmë se janë vegla instrument të kryeministrit. Jam në ezaurim të një analize që e kam nisur 18 vite më parë, kështu qenka dialektika. Në 2008 në prag të ndryshimeve kushtetuese, për të cilat isha kundër, nisur nga njohja e mirë e personazheve, të cilët në mënyrë të çuditshme u bënë bashkë, dhanë ‘ok’ për një ndryshim kushtetues te njerëzit që nuk marrin vesh nga jeta politike.
Meraku im është futja e politikës në mes të protestës dhe infektimi i saj. Dy janë mundësitë, ose protesta shuhet, dhe përpjekjet për ta shuar janë. Në momentin kur futet politika, tregon se kjo e fundit do që ta falimentojë. Të shohim se si do të jetë evoluimi i kësaj lëvizjeje. Berisha dhe Rama janë në një varkë.”, tha Topi.
Fraksion.com

