Mërgata voton në përfaqësitë diplomatike në zgjedhjet parlamentare të Kosovës
Mijëra shtetas të Kosovës që jetojnë jashtë vendit po votojnë të shtunën fizikisht në përfaqësi diplomatike të Kosovës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, njoftoi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Mbi 27.000 shtetas të Kosovës me të drejtë vote janë regjistruar për të votuar në 30 përfaqësi diplomatike të Kosovës në 18 shtete të ndryshme të botës.
Në të gjitha këto përfaqësi është duke u zhvilluar votimi, tha të shtunën zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media në Prishtinë.
Deri në orën 13:00 kanë votuar 38.97 për qind apo 10.804 votues, bëri të ditur Elezi.
Vendvotimet në përfaqësi diplomatike dhe konsullore do të jenë të hapur prej orës 07:00 deri në ora 19:00, sipas kohës lokale në vendet përkatëse.
Ky numër votuesit është vetëm një pjesë e një rekordi prej mbi 110.000 votuesve nga mërgata që janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet e 7 qershorit.
Votimi po zhvillohet në vende si Gjermani, Zvicër, SHBA, Kanada, Itali, Francë, Britani e Madhe, Belgjikë, Suedi, Austri, Norvegji, Slloveni, Danimarkë, Turqi, Kroaci, Holandë, Hungari, Çeki etj.
Votimi në përfaqësi diplomatike ishte mundësuar për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit të 2025, ndërsa më herët kishte qenë i mundur vetëm votimi përmes postës.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë po mbahen pasi Kuvendi i Kosovës nuk arriti ta zgjedhë presidentin e ri brenda afateve kushtetuese.
Partitë politike nuk arritën konsensus rreth zgjedhjes së presidentit pasi Vjosa Osmanit i përfundoi mandati pesëvjeçar në fillim të prillit.
Këto do të jenë zgjedhjet e treta parlamentare në 18 muajt e fundit në Kosovë, pas zgjedhjeve të mbajtura në shkurt dhe dhjetor të vitit 2025.
Fraksion.com

