“Times Kuwait”: Nga pushimet luksoze te investimet strategjike, Shqipëria tërheq vendet e Gjirit
Ndërsa kërkesa për udhëtime ndërkombëtare po rritet përpara sezonit veror, destinacionet që kombinojnë bukurinë natyrore, sigurinë, çmimet e përballueshme dhe përvojat autentike kulturore po tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendje globale, sipas një artikulli të botuar në “Times Kuwait”.
Mes pikave turistike në zhvillim në Evropë, Shqipëria po pozicionohet gradualisht, si një destinacion tërheqës për vizitorët nga Lindja e Mesme, përfshirë Kuvajtin, duke ofruar një kombinim të turizmit, aventurës dhe mundësive për investim.
Me vijën e saj bregdetare të paprekur në Mesdhe, peizazhet malore, liqenet me ujëra të kristalta, lumenjtë dhe zonat rurale piktoreske, Shqipëria ofron një përvojë turistike të larmishme për kategori të ndryshme vizitorësh.
Nga pushimet luksoze në plazhet e Rivierés Shqiptare me pamje nga detet Adriatik dhe Jon, te ekoturizmi, aventurat malore, turizmi kulturor dhe përvojat tradicionale, vendi ballkanik po njihet gjithnjë e më shumë si një nga destinacionet më premtuese në Evropë.
Duke folur për rritjen e interesit ndërkombëtar, Ilir Hysa, ambasadori i Shqipërisë në Kuvajt, tha se vendi ka përjetuar një rritje të ndjeshme të turizmit vitet e fundit, duke tërhequr familje, të rinj dhe turistë ndërkombëtarë që kërkojnë përvoja të reja evropiane përtej destinacioneve tradicionale.
Ai theksoi se Shqipëria priti më shumë se 12 milionë vizitorë vitin e kaluar, duke dëshmuar rritjen e saj të shpejtë në hartën globale të turizmit.
Ambasadori nënvizoi se oferta turistike e Shqipërisë i përshtatet një game të gjerë preferencash.
Për pushuesit që kërkojnë relaks, vendi ofron plazhe të bukura, ujëra të kaltërta dhe resorte bregdetare.
Adhuruesit e aventurës mund të eksplorojnë shtigje malore, lumenj, liqene dhe fshatra, ndërsa turistët kulturorë mund të njihen me trashëgiminë historike të vendit, arkitekturën dhe traditat e mikpritjes.
Sipas tij, turizmi rinor po përjeton një rritje të madhe, i nxitur nga festivalet verore, kultura e kafeneve, zgjerimi i ofertës gastronomike, jeta e natës dhe aktivitetet argëtuese.
Ai shtoi se reputacioni i Shqipërisë si një destinacion i sigurt dhe i qëndrueshëm po bëhet një faktor gjithnjë e më i rëndësishëm për familjet dhe të rinjtë.
Për turistët nga rajoni i Gjirit, Shqipëria ofron disa avantazhe shtesë.
Ambasadori Hysa veçoi disponueshmërinë e gjerë të ushqimit hallall, të mbështetur nga shumica myslimane e vendit dhe mjedisi gjithëpërfshirës shoqëror.
Vizitorët nga Kuvajti dhe vendet e tjera të Gjirit mund të gjejnë lehtësisht restorante me ushqim hallall, si dhe kuzhinë të Lindjes së Mesme dhe mesdhetare.
Ai theksoi gjithashtu se Shqipëria ofron një ambient kulturor mikpritës për vizitorët myslimanë, duke përmendur praninë e xhamive në shumë qytete dhe traditën e bashkëjetesës dhe tolerancës fetare.
Kjo afërsi kulturore, sipas tij, po e bën vendin gjithnjë e më tërheqës për turistët arabë, që kërkojnë një kombinim të hijeshisë evropiane me komoditetin kulturor.
Përtej turizmit, ambasadori tha se Shqipëria po fiton terren edhe si destinacion investimesh.
Sipas tij, vendi po forcon kuadrin ligjor, rregullator dhe ekonomik për tërheqjen e kapitalit të huaj, sidomos në procesin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, që pritet të rrisë besimin e investitorëve.
Ai ftoi investitorët kuvajtianë të shqyrtojnë mundësi në sektorë me rritje të shpejtë si, zhvillimi i turizmit, hoteleria, pasuritë e paluajtshme, energjia e rinovueshme, bujqësia dhe infrastruktura.
Sipas tij, Shqipëria ofron një klimë të sigurt biznesi dhe perspektivë për partneritete strategjike mes aktorëve shqiptarë dhe kuvajtianë.
Përsa i përket aksesit, ambasadori bëri të ditur se qytetarët e Kuvajtit përfitojnë procedura të lehtësuara hyrjeje në Shqipëri.
Vizitorët që posedojnë viza të vlefshme dhe të përdorura më parë të SHBA-së, BM-së apo shteteve të zonës Shengen mund të hyjnë pa vizë, ndërsa të tjerët mund të aplikojnë përmes sistemit elektronik të vizave.
Në përfundim, ambasadori Hysa e përshkroi Shqipërinë jo vetëm si një destinacion pushimesh, por si një përvojë të plotë jetese dhe kulture, që ndërthur bukurinë natyrore, aksesin e lehtë, sigurinë, mikpritjen dhe mundësitë ekonomike.
Ndërsa preferencat e turistëve vazhdojnë të ndryshojnë, Shqipëria duket gjithnjë e më e pozicionuar për të tërhequr jo vetëm turistë nga vendet e Gjirit, por edhe investitorë që kërkojnë mundësi në një nga tregjet më dinamike në rritje në Evropë.
Fraksion.com

