AktualitetPolitikëTë fundit

“48 orë punë intensive”, rezoluta e përbashkët për integrimin, Balla: Të mos e prishim punën e mirë të komisionit

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka deklaruar sot në fjalën e tij në Kuvend se rezoluta për procesin e integrimit europian është miratuar me konsensus të plotë në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme, pas pesë orësh diskutime mes mazhorancës dhe opozitës.

Sipas Ballës, dokumenti i dakordësuar është ndër më të mirët që ka miratuar ndonjëherë komisioni parlamentar.  Ai sqaroi se, debati në Kuvend lidhet drejtpërdrejt me nenin 103/1 të Rregullores, i cili parashikon që në përfundim të debatit të miratohet rezoluta.

Për këtë arsye, Balla kërkoi që fillimisht të prezantohet dokumenti i komisionit dhe më pas të vijojë debati parlamentar. Kreu i grupit socialist falënderoi publikisht edhe përfaqësuesit e opozitës për bashkëpunimin gjatë diskutimeve.

Në fund, Balla apeloi që konsensusi i arritur në komision të mos prishet gjatë seancës plenare.

“Në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme, të gjithë së bashku, pa asnjë votë kundër, pa asnjë abstenim, të gjitha pro, kemi miratuar një dokument, ndër më të mirët që ka miratuar ndonjëherë ky Komision. Pas 5 orësh debat, ka brenda edhe kritikën, edhe angazhimin, edhe syrin objektiv, por mbi të gjitha, yllin tonë orientues, anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Ky mocion me debat, ishte i lidhur me nenin 103, ku thuhet që në fund të debatit miratohet rezoluta. Në fund jemi të detyruar të miratojmë rezolutën, e cila ka kaluar me konsensus. Do të ishte e mirë ta dëgjojmë rezolutën, më pas të çelim debatin.

Të them të drejtën, këto 48 orë, kanë qenë 48 orë të një pune intensive. Të mos ta prishim punën e mirë të Komisionit dhe të vazhdojmë përpara me miratimin”, tha Balla.

Dokumenti e cilëson integrimin evropian objektiv strategjik kombëtar dhe parashikon forcimin e rolit të Kuvendit në monitorimin e negociatave, mbikëqyrjen e reformave dhe kontrollin ndaj ekzekutivit. Një nga pikat kyçe të rezolutës është angazhimi reciprok mes mazhorancës dhe opozitës për pjesëmarrje të plotë në jetën parlamentare dhe forcim të dialogut politik, një sinjal që synon të përcillet edhe te partnerët evropianë.
Fraksion.com

 

 

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com