20 filma shqiptarë në kinemanë “Babylon” në Berlin
Në kinemanë “Babylon” në Berlin, prej datës 7 maj kanë nisur të shfaqen 20 filma shqiptarë, nga klasikët e restauruar të Kinostudios “Shqipëria e Re”, deri te krijimet më të fundit të kinemasë moderne shqiptare, dokumentarë dhe filma të shkurtër.
Në zemër të Berlinit, për gjashtë net me radhë, kinemaja shqiptare do të vijë për publikun artdashës, atë shqiptar dhe të huaj.
Filmat do të shfaqen në kuadër të Festivalit të Filmit Shqiptar “Fly Like an Eagle”, që sjellë në Berlin shpirtin dhe historinë e kinematografisë shqiptare ndër vite.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale, momente nga ky organizim i veçantë, ndërsa përcolli ftesën që deri më 13 maj, në kinemanë “Babylon” në Berlin, të ndiqen seritë e filmave shqiptarë.
Në ditën e parë të hapjes, festivali u çel me filmin ikonë “Vdekja e kalit”, ndërsa publiku pati rastin të takojë aktorin Timo Flloko dhe të bashkëbisedojë me të, me moderimin e regjisores Odeta Çunaj.
Mbrëmja e hapjes u përshëndet nga ambasadorja e Shqipërisë në Gjermani, Adia Sakiqi, drejtori i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, Eljan Tanini, si dhe kuratori i programit, Elson Zguri, të cilët vlerësuan rëndësinë e këtij festivali si një urë kulturore mes Shqipërisë dhe publikut gjerman e ndërkombëtar.
Në kuadër të festivalit u prezantua edhe ekspozita e artistit shqiptar Klevis Ibrahimi, me 12 piktura të frymëzuara nga ikonat e filmit shqiptar.
Festivali organizohet me mbështetjen e Ambasadës së Shqipërisë në Berlin, Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Cultur Alb, Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, Babylon Berlin dhe kuratorit të programit Elson Zguri.
Fraksion.com
