AktualitetKosovaTë fundit

“Nuk ngopen kurrë”, Osmani: Donin të më eliminonin politikisht, pasi takova Trumpin

Në “tubimin e bashkimit” të LDK-së në Prishtinë, kandidatja për presidente, Vjosa Osmani ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për, siç tha ajo, përpjekje për eliminim politik të saj.

Osmani deklaroi se kundërshtimet ndaj saj erdhën, pasi ajo kishte zhvilluar takim me presidentin e ShBA-ve, Donald Trump.

“Pra, në njërën anë është rruga e atyre që e çojnë vendin në zgjedhje çdo tre muaj sepse nuk ngopen kurrë, rruga e atyre që e shndërrojnë në mision eliminimin e secilit, secilit që Republikën e vendos përpara çdo interesi partiak dhe ideologjik, rruga e atyre që e dërguan vendin në zgjedhje të panevojshme dhe ia refuzuan popullit 51% vetëm për të eliminuar një presidente që u ul me presidentin e ShBA-së”, tha Osmani.

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të kryesojë listën e kandidatëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.

Kryesia e LDK-së miratoi gjithashtu propozimin që Osmani të jetë kandidate e kësaj force për një mandat tjetër si presidente e republikës, ndërsa kryetarin e saj, Lumir Abdixhikun, e nominoi si kandidat për kryeministër.

Abdixhiku tha se vendimi është marrë unanimisht në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së, duke shtuar se në listën zgjedhore të partisë do të përfshihen edhe 19 emra të tjerë të propozuar nga Osmani. Në ditët e fundit, Osmani ka konfirmuar se pjesë e rrugëtimit të saj politik do të jenë figura si: Fahrie Hoti, aktiviste e njohur kryesisht për përfaqësimin e grave të Krushës së Madhe pas luftës së Kosovës; Jeta Statovci, ish-deputete e Guxo dhe ndër më të votuarat në listën e LVV-së në zgjedhjet e fundit; si dhe Albena Reshitaj, ish-ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe ish-deputete e AAK-së.

Para largimit nga LDK-ja, Osmani kishte qenë një nga figurat më të votuara të partisë dhe, gjatë karrierës së saj politike, ka ushtruar funksione të rëndësishme institucionale, përfshirë ato të presidentes dhe deputetes.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com