Ceremonia e lamtumirës për Servet Pëllumbin, Rama: Profesori përfaqësonte gjithçka që unë nuk simpatizoja, por më dha mësimin më të çmuar
Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë këtë mesditë në homazhet në nder të Servet Pëllumbit, një figurë e shquar e politikës shqiptare që u nda nga jeta një ditë më parë.
“Për hir të të vërtetës dua të kujtoj këtu se marrëdhënia ime me të është tipike e një antipatie reciproke në distancë, dhe pastaj e një simpatie reciproke në afërsi.
Për vite, qëkurse e kam parë të shfaqet në sytë e mi, profesori përfaqësonte gjithçka që unë nuk simpatizoja… konservator, marksist-leninist, sovjetik e të gjitha ato që e shoqëronin figurën e tij kur vinte fjala për sulmet dhe etiketimet që i bëheshin dhe ka qenë një nga mësimet më të çmuara të gjithë këtij rrugëtimi, përballja me realitetin e njeriut përtej etiketimeve dhe kokrrizimit në sferën publike.
Kishte një kategori njerëzish të cilët e ndiqnin dhe e vlerësonin një situatë të caktuar me qetësi dhe vërtetësi.
Kur më shkruajti Beni që profesori kishte ndërruar jetë, më erdhi si e papritur për faktin e thjeshtë se nuk e di pse isha mësuar me idenë që profesori ecte çdo ditë dhe më dukej si e paravendosur që ai do ecte gjithmonë.
Në ato pak raste kur e kam takuar e gjeja gjithmonë në formë dhe të dëshiruar për të folur për ato tema që ai kishte përzemër. Kur një njeri largohet shumëçka që lidhet me të afrohet, por besoj se edhe kur ky afrim i gjërave si rezultat i momentit të tretet në kohë, profesori do mbetet një pikë referimi në historinë e ndryshimeve dhe ndryshimit të epokave, padyshim një pikë referimi për ata që do duan një ditë të kuptojnë dinamikat dhe historinë e PS.
Më e rëndësishme është kujtimi që ai lë pas, besoj se gjithsekush që e ka njohur e kupton dhe do ta kujtojë si një burrë të mirë, të ndershëm, të mençur dhe mbi të gjitha si një burrë babaxhan.
Kështu uroj ta kujtojnë gjithmonë djemtë, nipër e mbesa dhe të gjithë të afërmit e tjerë, duke shprehur me dhimbje edhe urimin që të prehet i qetë”, tha Rama.
Fraksion.com

