Takimi me Ramën në Tiranë, ambasadorja Guilfoyle: Kur SHBA, Shqipëria dhe Greqia punojnë së bashku, ky rajon bëhet më i sigurt dhe i begatë
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Greqi, Kimberly Guilfoyle, ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social X pas raportimit për takimin e saj me kryeministrin Edi Rama në Tiranë.
Në mesazhin e saj, Guilfoyle theksoi rëndësinë e vizitës dhe marrëveshjes së arritur në fushën e energjisë: “Isha e nderuar të udhëtoja në Tiranë për të çuar përpara agjendën energjetike të Presidentit të SHBA dhe t’i bashkohesha kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e nënshkrimit të një marrëveshjeje historike midis Shqipërisë, Venture Global dhe Aktor LNG USA për një kontratë 20-vjeçare për gazin natyror të lëngshëm amerikan.”
Ambasadorja vlerësoi gjithashtu kontributin e zyrtarëve amerikanë në këtë iniciativë, duke përmendur punën e Doug Burgum dhe Chris Wright, si dhe të Këshillit Kombëtar për Dominimin Energjetik.
Në përfundim, Guilfoyle theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal: “Kur Shtetet e Bashkuara, Shqipëria dhe Greqia punojnë së bashku, ky rajon bëhet më i lidhur, më i sigurt dhe më i begatë.”
Fraksion.com

