Rama pret me përqafime ambasadoren amerikane në Greqi, pritet nënshkrimi i një marrëveshje me ministrinë e Infrastrukturës
Kryeministri Edi Rama ka pritur sot në zyrën e tij ambasadoren e SHBA-së në Greqi Kimberly Guilfoyle.
Diplomatja amerikane do të marrë pjesë në nënshkrimin e një marrëveshje në sektorin e energjisë mes Ministrisë se Infrastrukturës dhe një kompanie amerikane. E pranishme në takim është gjithashtu e dërguara me punë e SHBA Nancy van Horn.
Kimberly Guilfoyle e ka vizituar Edi Ramën dhe në mars në kryeministri. Një tjetër takim me tyre ka ndodhur në Greqi teksa Rama mori pjesë në Forumin Ekonomik të Delphit.
Për këtë marrëveshje kanë shkruar më parë dhe mediat greke. Bëhet fjalë për ndërtimin e një terminali lundrues për gazin e lëngshëm natyror në Shqipëri. Një projekt i tillë mbart një rëndësi të madhe për furnizimin me gaz të rajonit dhe për rolin e vendeve të Ballkanit në rrjetin energjetik evropian.
Çfarë është terminali lundrues për gazin e lëngshëm natyror?
Një FSRU (Floating Storage and Regasification Unit) është një terminal lundrues që përdoret për të importuar dhe përpunuar gazin e lëngshëm natyror (LNG). Ai zakonisht është një anije e pajisur me rezervuarë të mëdhenj ku ruhet gazi i lëngshëm që mbërrin me cisterna nga vendet prodhuese. Në këtë platformë gazi ruhet në temperatura shumë të ulëta dhe më pas përmes pajisjeve të posaçme kthehet sërish nga gjendja e lëngshme në gaz.
Pas këtij procesi, gazi dërgohet përmes tubacioneve drejt rrjetit energjetik të vendit ose të rajonit. Terminalet e tilla konsiderohen zgjidhje më të shpejta dhe më fleksibël se ndërtimi i terminaleve të përhershme në tokë dhe përdoren shpesh për të rritur sigurinë energjetike dhe për të diversifikuar burimet e furnizimit me gaz.
Fraksion.com

