Opozita bojkoton – Shtyhet seanca në Kuvend për zgjedhjen e presidentit
Kuvendi i Kosovës pritet të vazhdojë seancën për zgjedhjen e presidentit të ri nga ora 14:00.
Seanca fillimisht ishte paraparë të niste në orën 10:00, por kryeparlamentarja Albulena Haxhiu e shtyu atë, me arsyetimin se dëshiron t’i japë kohë opozitës për të marrë pjesë.
Ajo e arsyetoi këtë duke thënë se po i pret deputetët e opozitës, që i ka ftuar të marrin pjesë në seancë.
Haxhiu tha se ky është obligim kushtetues i secilit deputet.
“E ftoj opozitën sërish që të vijë në seancën për zgjedhjen e presidentit, pra në këtë seancë të jashtëzakonshme që e kemi nisur dje”, tha Haxhiu pasi lexoi disa aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese, opinione të Komisionit të Venecias dhe raporte të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për detyrimin e deputetëve për të qenë të pranishëm në sallë.
Deputetët e partive opozitare nuk u futën fare në seancën e sotme. Ata e bojkotuan edhe seancën e 27 prillit, në të cilën Lëvizja Vetëvendosje propozoi dy kandidate për presidente – Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën.
Ndonëse pa kuorumin e nevojshëm, votimi u zhvillua dhe Feride Rushiti mori 63 vota në rundin e parë, ndërsa Hoxha nuk mori asnjë votë. Një votë ishte e pavlefshme.
Kryeministri Albin Kurti, njëherësh kryetar i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, ka zhvilluar disa takime me përfaqësues të opozitës, në përpjekje për të arritur marrëveshje për çështjen e presidentit, por pa sukses.
Opozita i ka cilësuar si joserioze dhe të papranueshme ofertat e Kurtit – qoftë për pjesëmarrje në Qeveri apo për postin e kryeparlamentarit – duke iu përgjigjur me bojkotim.
Në seancën e së hënës, ku morën pjesë vetëm deputetët e shumicës, u votua për dy kandidatet për presidente, të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.
Rushiti mori 63 vota në rundin e parë, ndërsa Hoxha asnjë votë. Një votë tjetër ishte e pavlefshme.
Përfaqësues të opozitës dhe të shoqërisë civile thanë se votimi i presidentit pa kuorumin e nevojshëm, cenon rendin kushtetues.
Fraksion.com

