“Kurti pritet të flasë për media” – Shtyhet sërish seanca për presidentin, tentimi i radhës në orën 19:00
Teksa pritet vazhdimi i seancës në orën 19:00, kryeministri i Kosovës, njëherësh kreu i LVV-së, Albin Kurti, ka paralajmëruar një konferencë për media në orën 16:30.
Më herët gjatë ditës, Kurti tha se pret që deputetët e partive opozitare të marrin pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit.
Partia e tij ka kandiduar Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën për presidente të Kosovës, por disa parti opozitare i kanë kërkuar Rushitit – që dje në votimin e zhvilluar në Kuvend pa praninë e opozitës, mori 63 vota – të tërhiqet nga gara.
Haxhiu i kërkon opozitës të mos u bëjë presion kandidateve për presidente
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, u ka kërkuar partive opozitare që të mos u bëjnë presion kandidateve për presidente, Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha, për t’u tërhequr nga gara.
“Në vend që të bëjnë presion dhe të japin deklarata që i shtyjnë kandidatet të tërhiqen nga gara, i ftoj ata [deputetët e partive opozitare] që të vijnë [në seancë]”, deklaroi Haxhiu në vazhdimin e dytë të seancës, e cila u ndërpre pak minuta pasi nisi.
“Këtu është vendi ku flasim dhe argumentojmë, edhe juridikisht, edhe politikisht”, tha ajo.
Paraprakisht, përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) i bënë thirrje Feride Rushitit të tërhiqet nga gara.
Edhe AAK-ja kërkon tërheqjen e Rushitit nga gara
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, i ka kërkuar Feride Rushiti të tërhiqet nga kandidatura e saj për postin e presidentes.
Ai tha, nëse nuk tërhiqet, Rushiti “po bëhet pjesë e një procesi të montuar politikisht, i një procesi që është duke rrënuar rendin kushtetues”.
Më herët, edhe PDK-ja kërkoi tërheqjen e Rushitit nga gara për postin e presidentit.
Sipas Tahirit, mund të gjendet një zgjidhje për situatën e krijuar, por jo duke e imponuar atë mbi opozitën.
“Kjo qasje veç unifikuese nuk është, kjo qasje është përjashtuese”, tha Tahiri, duke i cilësuar si propozime arbitrare kandidatet e ofruara nga LVV-ja.
Çfarë u pa në sallë gjatë seancës disa minutëshe?
Në sallën e Kuvendit, ku seanca nisi sot në orën 14:30 për herë të tretë brenda dy ditëve, sërish ishin të pranishëm vetëm përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje.
Kujtojmë se seanca për zgjedhjen e presidentit të Kosovës vazhdon sot, në ditën kur skadon edhe afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Në seancën e së hënës, ku morën pjesë vetëm deputetët e shumicës, u votua për dy kandidatet për presidente, të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.
Rushiti mori 63 vota në rundin e parë, ndërsa Hoxha asnjë votë. Një votë tjetër ishte e pavlefshme.
Përfaqësues të opozitës dhe të shoqërisë civile thanë se votimi i presidentit pa kuorumin e nevojshëm, cenon rendin kushtetues./REL
Fraksion.com

