Firmoset marrëveshja 20-vjeçare për gazin, Rama: Vlora kthehet në qendër të Evropës Juglindore
Shqipëria ka firmosur këtë të martë, 28 prill, një nga marrëveshjet më të rëndësishme me SHBA-të dhe me nënkontraktore Greqinë, në fushën e gazit, një hap që pritet të ndikojë drejtpërdrejt në të ardhmen energjetike të vendit dhe të rajonit.
Gjatë fjalës së tij në ceremoninë zyrtare, kryeministri Edi Rama e vendosi këtë zhvillim në një kontekst më të gjerë historik, duke rikujtuar vështirësitë e mëdha që ka kaluar sektori energjetik shqiptar ndër vite.
“Ka qenë një moment në jetën tonë kur energjia ishte çështje furnizimi për të mbajtur dritat ndezur sa më gjatë të ishte e mundur në harkun e 24 orëve. Nga ana tjetër, jetonim në një vend ku deri një dekadë më parë gjysma e popullsisë paguante për gjysmën tjetër, ndërkohë që e gjithë pasuria e prodhuar nga sistemi ynë ishte në fakt e keqmenaxhuar dhe e vjedhur. OSHEE deri një dekadë më parë ishte në buzë të falimentit dhe mbahej gjallë nga subvencionet qeveritare. Borxhi ishte më shumë se 5% e PBB-së. Sot historia është krejt ndryshe, energjia përcakton fuqinë tonë dhe sigurinë tonë energjetike. Shqipëria ka zgjedhur që të kalojë në një proces mjaft të dhimbshëm energjetik.”
Në vijim, kryeministri nënvizoi transformimin e thellë që ka pësuar sektori, duke theksuar se sot energjia nuk është më një problem, por një element kyç i fuqisë dhe sigurisë kombëtare. Ai u ndal edhe tek reformat e ndërmarra, të cilat, sipas tij, kanë qenë të vështira, por të domosdoshme, duke vendosur parimin që çdo qytetar të paguajë për konsumin e vet real, ndërsa shteti fokusohet në investime strategjike.
Rama vuri theks të veçantë te diversifikimi i burimeve energjetike, duke përmendur investimet në energjinë e rinovueshme, përfshirë projektet e fundit të energjisë së erës me mbështetje amerikane. Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e infrastrukturës në Vlorë, e cila nga një aset i nënshfrytëzuar, po shndërrohet në një portë të rëndësishme energjetike për vendin.
“Gjithkush paguan atë që i takon, ndërkohë që ne investojmë për të diversifikuar portofolin tonë. Të arrijmë shumë shpejt që brenda këtij mandati të arrijmë në importin e energjisë neto 100% të pastër. Sot ne vijmë nga veriu, ku jo shumë kohë më parë prezantuam një investim të energjisë së erës nga SHBA. Ajo që sot ishte një aset i vetëm në Vlorë, po bëhet një portë, që nuk kemi mundur ta përdorim, për shkak të mënyrës së gabuar të përdorimit të parave të shqiptarëve. Do t’i japë Shqipërisë pozitën e një qendre energjetike.”
Sipas tij, marrëveshja e re për gazin është një “moment i jashtëzakonshëm” që do të hapë rrugën për investime të mëdha dhe do ta pozicionojë Shqipërinë si një qendër kyçe energjetike në rajon, duke shërbyer si ndërlidhës për vendet fqinje dhe duke kontribuar në rritjen e sigurisë energjetike në Ballkan.
Në përmbyllje, Rama theksoi se kjo marrëveshje dërgon një mesazh të qartë se edhe vendet e vogla mund të ndërmarrin sfida të mëdha dhe të luajnë një rol të rëndësishëm në çështje strategjike si energjia, e lidhur ngushtë me lirinë dhe demokracinë. Ai gjithashtu përgëzoi ekipin negociator për arritjen e kësaj marrëveshjeje, duke e cilësuar atë si një sukses të jashtëzakonshëm për Shqipërinë.
“Kemi sot një marrëveshje të jashtëzakonshme që do të sjellë më pas një investim shumë të madh dhe një marrëveshje shumë të madhe energjetike. Duke e pozicionuar Shqipërinë si ndërlidhës dhe ndikon në sigurinë energjetike të fqinjëve. Kjo na bën që të ndihemi shumë të nderuar. Marrëveshja përcjell një mesazh shumë të qartë, që vendet e vogla mund të marrin sfida. Mesazhi i sotëm nuk mund të jetë më i qartë se kaq, kur vjen fjala për energjinë me nevojën jetike për liri dhe demokraci. Për ta përmbyllur dua të theksoj edhe një herë rëndësinë e kësaj marrëveshjeje. Dua të përgëzoj ekipin tonë për realizimin e jashtëzakonshëm për këtë marrëveshje.”
Fraksion.com

