Ndërron jetë akademiku i njohur shqiptar, Rexhep Qosja. Lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta në moshën 89-vjeccare e ka dhënë nipi i tij, përmes një postimi në rrjetet sociale.
Mësohet se Qosja është përcjellë për në banesën e fundit pa zhurma dhe ceremoni institucionale, amanet që siç duket akademiku e kishte dhënë për familjarët më herët.
Këta të fundit kanë plotësuar dëshirën e fundit të akademikut, kanë organizuar një ceremoni të ngushtë familjare, për të çuar në vend amanetin e lënë.
Rexhep Qosja, një mendje e ndritur e kombit shqiptar, ka pas vepra dhe mendime të vyera që do të shërbejnë brez pas brezi.

“Njoftojmë se sot, më datë 23.4.2026 është ndarë nga jeta dhe është varrosur Rexhep Qosja. Varrimi u zhvillua në praninë e anëtarëve të ngushtë të familjes. Me dëshirë të të ndjerit, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje nga familja. Familja nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale. Lusim që privatësia jonë të respektohet dhe të na mundësohet të mbajmë zi në qetësi!”, njofton familja.
Rexhep Qosja lindi më 25 qershor 1936, ndërsa njihet si shkrimtar me një penë të vyer, kritik letrar dhe historian.
Si shkrimtar, ai njihet kryesisht për romanin e tij të vitit 1974 “Vdekja më vjen nga sy të tillë”, i përkthyer në shumë gjuhë, Një Dashuri dhe Shtatë Mëkate (2003), Nata është dita jonë (2007) Bijtë e askujt (2010), Sekretet e Zbuluara (2020) e shumë të tjerë.
Ai ishte Doktori i parë i Shkencave Filologjike në Kosovë, autor i antologjive dhe monografive të ndryshme shkencore, duke përfshirë një histori trevëllimëshe të letërsisë shqipe në periudhën Romantike.
Qosja ka shkruar libra që përshkruajnë historinë e popullit shqiptar në Ballkan dhe ka spikatur si figurë në bisedimet e paqes për t’i dhënë fund Luftës së Kosovës të vitit 1999.
Fraksion.com