“Bëhu serioz, mos flit çdo ditë”: Macron kritikon Trumpin për luftën në Iran
Presidenti francez Emmanuel Macron ka kritikuar qasjen e presidentit amerikan Donald Trump ndaj luftës në Iran, duke e cilësuar si jo serioze dhe kontradiktore.
“Ky nuk është spektakël. Po flasim për luftë e paqe dhe për jetët e burrave e grave,” tha Macron para gazetarëve në Korenë e Jugut, ku ndodhet për vizitë shtetërore.
Ai shtoi se “kur do të jesh serioz, nuk thua çdo ditë të kundërtën e asaj që the një ditë më parë” dhe se ndoshta “nuk duhet të flasësh çdo ditë, por të lejosh gjërat të qetësohen”.
Komentet e Macron-it vijnë ndërsa lufta SHBA-Izrael në Iran ka hyrë në muajin e dytë. Ndërkohë që disa operacione amerikane janë mbështetur nga vendet evropiane, Franca ka refuzuar të përfshihet drejtpërdrejt në konflikt. Trump dhe administrata e tij kanë dhënë mesazhe të ndryshme, duke lëkundur mes deklaratave për armëpushim, fitoren e shpallur dhe vazhdimin e luftës.
Macron kritikoi gjithashtu deklaratat e Trump-it për rishikimin e anëtarësimit të SHBA-ve në NATO. “Aleancat si NATO kanë vlerë për shkak të besimit që qëndron pas tyre,” tha ai, duke shtuar se vënia në dyshim e angazhimit e zbraz organizatën nga përmbajtja.
Presidenti francez u shpreh se nuk do të komentojë mbi operacionet që SHBA-të dhe Izraeli “vendosën vetë” dhe më pas ankohen se janë vetëm. Ai kujtoi gjithashtu se Trump kishte shpallur në qershor të vitit 2025 se goditjet amerikane kishin “shkatërruar” objektet bërthamore iraniane, ndërsa tani thotë se lufta e shkurtit 2026 është “mundësia e fundit për të goditur programin bërthamor të Iranit”.
Macron paralajmëroi se problemet bërthamore nuk mund të zgjidhen me sulme të kufizuara ushtarake, por kërkojnë vëzhgues ndërkombëtarë dhe një kornizë të qëndrueshme për të ndaluar pasurimin e mëtejshëm.
Ndërkohë, tensionet janë shtuar pasi Irani ka mbyllur Ngushticën e Hormuzit, një rrugë ujore jetike për furnizimin global me energji. Trump ka thënë se vendet më të prekura duhet ta zgjidhin vetë problemin, por Macron e ka cilësuar një operacion ushtarak për hapjen e ngushticës si “të parealizueshëm” dhe tepër të rrezikshëm.
Fraksion.com

