Presidenti iranian i shkruan letër popullit të SHBA-së
Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, shkroi një letër të hapur drejtuar popullit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të cilën kritikon atë që ai e quan një operacion absurd dhe të kushtueshëm për vendin e tyre.
“Njerëzve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe atyre që kërkojnë të vërtetën dhe një jetë më të mirë mes shtrembërimeve dhe narrativave të ndërtuara”, shkroi Pezeshkian në fillim të letrës së tij. “Populli iranian nuk ushqen armiqësi ndaj kombeve të tjera, përfshirë popullin e Amerikës, të Evropës apo të vendeve fqinje”, tha ai.
Akuza ndaj Izraelit
Ai shkruan gjithashtu se Izraeli e ka tërhequr SHBA-në në luftë. “A nuk kemi të bëjmë me një rast që Amerika ka hyrë në këtë agresion si përfaqësuese e Izraelit, e ndikuar dhe e manipuluar nga ai regjim?”
“A është vërtet Amerika në vend të parë në listën e prioriteteve të qeverisë amerikane?” shtron në letër pyetjen Presidenti i Iranit Pezeshkian.
Konfrontimi nuk sjell zgjidhje
“Sot bota ndodhet në një udhëkryq. Vazhdimi në rrugën e konfrontimit është më i kushtueshëm dhe më i kotë se kurrë më parë. Zgjedhja midis përplasjes dhe angazhimit është reale dhe me pasoja; rezultati i saj do të formësojë të ardhmen për brezat që do të vijnë”, shkruan presidenti iranian në fund të letrës.
“Gjatë mijëvjeçarëve të historisë së tij krenare, Irani ka mbijetuar shumë agresorë. Gjithçka që ka mbetur prej tyre janë emra të njollosur në histori, ndërsa Irani vazhdon i qëndrueshëm, dinjitoz dhe krenar.”
Në letrën e tij Presidenti iranian nuk përmend as pretendimet e SHBA-së për bisedime, dhe as nuk iu referua deklaratës së presidentit Donald Trump, sipas së cilës Pezeshkiani vetë kishte kërkuar armëpushim nga SHBA-ja, pretendim, i cili është mohuar tashmë nga Ministria e Jashtme iraniane./DW
Fraksion.com

