Raportet: Parlamenti iranian po përgatit projektligj për të vendosur taksa për kalimin nëpër Ngushticën e Hormuzit – Vazhdon ndërprerja e internetit
Media iraniane kanë raportuar se parlamenti (Majlis) po kërkon të miratojë një ligj për të vendosur taksa për kalimin nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Kreu i komitetit të ndërtimit të parlamentit ka thënë se një “draft është përgatitur, por nuk ka arritur në fazën e një projektligji të plotë” dhe qëllimi është, thonë ata, të “ofrojë siguri për anijet që kalojnë”.
Nuk është specifikuar ende se sa do të jenë taksat e mundshme.
Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi tha mbrëmë në një intervistë televizive në televizionin shtetëror se Irani deri më tani ka pranuar kërkesat për anije që kalojnë nga vende të tilla si “Kina, Rusia, Pakistani, Iraku dhe India”.
Ai tha se Hormuzi nga perspektiva e Iranit “nuk është plotësisht i mbyllur, por i mbyllur për armiqtë”.
Ndërprerja e internetit vazhdon në Iran

Nërkohë ky grafik tregon se lidhja e internetit në Iran ka rënë në gati 0% kur shpërtheu konflikti dhe ka mbetur në të njëjtin nivel të ulët deri më sot
Ndërprerja dixhitale e imponuar nga qeveria në Iran ka hyrë në ditën e saj të 27-të, sipas grupit të monitorimit të internetit NetBlocks.
NetBlocks thotë në përditësimin e tij të përditshëm se Irani është izoluar nga interneti global për 624 orë dhe se “monitoruesit e të drejtave, media e pavarur dhe publiku janë lënë mënjanë pasi qasja u jepet vetëm atyre që janë në një listë të bardhë të miratuar nga shteti”.
Pavarësisht ndërprerjes së internetit, e cila filloi më 28 shkurt kur SHBA-të dhe Izraeli filluan sulmet, BBC ka qenë në gjendje të flasë me disa iranianë rreth luftës.
Më parë, një i ri iranian i tha BBC-së për frikën e tij se mos detyrohej të kryente shërbim ushtarak dhe se si kohët e fundit humbi një mik të ngushtë në një sulm ajror.
Fraksion.com

