AktualitetPolitikëTë fundit

Mbrojtja e Veliajt pretendon “batuta dhe tallje në sallë”, çfarë ndodhi sot në seancën gjyqësore

Ka një deklaratë zyrtare nga mbrojtja e kryetarit t Bashkisë të Tiranës Erion Veliaj, sa i takon seancës së sotme gjyqësore, 2 shkurt.

Pretendohet se e drejta e kryebashkiakut për t’u mbrojtur sipas ligjit, është cenuar rëndë.

“Edhe sot, Erion Veliaj u detyrua të vijojë mbrojtjen vetë, pavarësisht se gjykata i kishte caktuar një avokate kryesisht, jashtë vullnetit të tij. Edhe avokatja e caktuar nga gjykata deklaroi qartë në seancë se nuk ka pasur asnjë mundësi reale për t’u njohur plotësisht me dosjen, as për ta konsultuar atë me Veliajn dhe për këtë arsye kërkoi kohë shtesë për të ushtruar mbrojtjen”, thuhet në reagim, duke shtuar se kërkesa jo vetëm që nuk u mor parasysh, por u shoqërua me batuta dhe shprehje tallëse ndaj aktivitetit të avokates së Veliajt.

“Në mënyrë absurde, gjykata e konsideroi mbrojtjen të “ezauruar”, në një situatë ku: as avokatja e caktuar nga shteti, as vetë Veliaj, nuk kishin njohur dosjen, dhe për rrjedhojë nuk kishin asnjë mundësi reale për të ushtruar mbrojtje efektive”, thuhet më tej.

“Si mund të realizoj mbrojtje, kur nuk më jepet mundësia të njihem me dosjen? Këtë mundësi nuk ia keni dhënë as avokates që ju vetë keni caktuar”, mësohet se ka thënë kryebashkiaku para togave të zeza në GJKKO.

Akoma më alarmante, thekson mbrojtja, janë argumentet e ngritura nga Prokuroria e Posaçme se “Veliaj ka paguar avokatë jashtë vendit për të lobuar kundër tyre”.

“Erion Veliaj nuk ka pretenduar kurrë se nuk gjen avokat. Ai ka kërkuar të mbrohet vetë pikërisht për të pasur mundësinë të njihet me dosjen, sepse asnjë avokat nuk mund të realizojë mbrojtje pa konsultim me klientin dhe ky konsultim është i pamundur pa njohjen e dosjes nga vetë i Veliaj. Madje, edhe avokatja e caktuar nga shteti, jo nga Veliaj, i shpjegoi gjykatës në këtë seancë se: Edhe sikur të isha njohur me dosjen (gjë që s’ka ndodhur) si mund t’i mbaj mend 61 mijë faqe dhe t’ia riprodhoj z. Veliaj, kur nuk ia japin as të printuara, as laptop që t’i lexojë në USB”, sqarohet në deklaratë.

Madje, thuhet se prokurorët kanë një urrejtje të hapur ndaj avokatit dhe vetë të drejtës për mbrojtje.

“Përballë kësaj sjelljeje haptazi të njëanshme, në favor të prokurorisë dhe në shurdhim e verbim të plotë ndaj kërkesave minimale të mbrojtjes, Erion Veliaj kërkoi përjashtimin e gjyqtares Etleva Deda, e cila, për arsye që i di ajo dhe prokurorët, është shndërruar në një palë me ta. Kjo çështje do të hyjë në historinë e jurisprudencës shqiptare si shembulli ekstrem i shkeljeve brutale të çdo elementi të procesit të rregullt ligjor. Ajo përfaqëson kufirin planetar të skandalit juridik që po prodhon e ashtuquajtura “drejtësi e re” në Shqipëri”, thuhet në mbyllje të deklaratës.

Këtë të hënë, u mbyll mes debatesh të forta shqyrtimi paraprak për dosjen ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe të pandehurve të tjerë.

Gjyqtarja Etleva Deda është tërhequr për vendim nëse do ta kalojë për gjykim apo jo, vendim që do të komunikohet më 9 shkurt.

Kujtojmë se të dielën, 1 shkurt, GJKKO-ja rrëzoi kërkesën e kryebashkiakut për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest me burg”. U pranua kërkesa e dy prokurorëve të çështjes, Altin Dumani dhe Ols Dado se masa duhet të vazhdojë pasi provat mund të manipulohen.

Veliaj ndodhet në qeli prej pothuajse 1 viti.Ai u arrestua në shkurt të vitit 2025, i akuzuar për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 raste, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com