A do kemi zgjedhje në Tiranë nëse më 31 tetor Kushtetuesja shpall të vlefshëm dekretin e Begajt? Ja si përgjigjet Celibashi
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka mbajtur një bashkëbisedim me gazetarët lidhur me zgjedhjet e pjesshme të gjashtë bashkive në vend.
Zgjedhjet e pjesshme të bashkive Tiranë, Vlorë, Berat, Tepelenë, Mat, Cërrik, do të mbahen më 9 nëntor 2025, të dekretuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.
Por çfarë ndodh pas ankimimit të Erion Veliajt në Kushtetuese? Celibashi u shpreh se e vetmja detyrë që ka Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është të sigurojë organizimin e zgjedhjeve në vend.
“KQZ ka vetëm një përgjegjësi, organizimin e zgjedhjeve të cilat dekretohen nga një institucion tjetër apo autoritet tjetër publik, sikurse është Presidenti i Republikës, sipas një procedure të caktuar vjen edhe ushtrimi i kompetencës të Presidentit të Republikës për të nxjerrë dekretin. Thënë këtë, KQZ nuk mund të vëjë në diskutim çfarë është zhvilluar në çdo pikëpamje, natyrisht ligjore dhe kushtetuese, deri në daljen e dekretit. Detyra e institucionit të KQZ është që të përgatisi procesin zgjedhor për të gjashtë bashkitë dhe nuk e ka fare të lejuar të vërë në diskutim dhe të debatojë në çdo pikëpamje vendimmarrjet, qoftë të institucionit të Presidentit të Republikës apo dhe të Këshillit të Ministrave, apo të ndonjë institucioni tjetër”, u shpreh Celibashi.
Kreu i KQZ-së shpjegoi nga sa KZAZ dhe qendra votimi do të ketë çdo njësi vendore e cila përfshihet nga zgjedhjet e pjesshme. Kështu, në total janë 22 KZAZ, që do të administrojnë 1 mijë e 428 qendra votimi në të gjashta bashkitë.
“KQZ është në fazën instensive të përgatitjes për këtë proces zgjedhor.
Për Tiranën janë 13 KZAZ ose 154 qendra votimi. Për Vlorën janë 4 KZAZ, 232 qendra votimi. Për Bashkinë Tepelenë, është 1 KZAZ, e cila administron procesin zgjedhor dhe procesi i votimit do të zhvillohet në 22 qendra votimi. Në Bashkinë e Matit, është 1 KZAZ e cila do të administrojë procesin zgjedhor për këtë bashki dhe janë 47 qendra votimi. Për Bashkinë e Cërrikut, po 1 KZAZ do të administrojë procesin zgjedhor dhe janë 57 qendra votimi. Në Bashkinë e Beratit, janë 2 KZAZ që do të administorjnë procesin zgjedhor dhe në total 116 qendra votimi.
Pra në total janë 22 KZAZ, të cilat do të administrojnë procesin zgjedhor në këto gjashtë bashki, për një total prej 1 mijë e 428 qendra votimi ku do të votohet“, u shpreh Celibashi.
Lidhur me numrin e saktë të votuesve, Celibashi tha se për bazë është marrë numri i atyre të procesit zgjedhor të 11 majit, pra rreth 992 mijë e 103, në total për gjashtë bashkitë.
“Për sa i përket numrit të zgjedhësve, kemi vetëm numrin e zgjedhësve të datës 11 maj, thjesht si referim. Janë rreth 992 mijë e 103 zgjedhës, të cilët kanë qenë në listën e zgjedhësve të këtyre gjashtë bashkive në zgjedhjet për Kuvend të Shqipërisë“, tha Celibashi.
Sakaq, ende nuk është bërë një raport përfundimtar për kostot e këtyre zgjedhjeve. Sipas një vlerësimi paraprak të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, llogaritet të jetë rreth 306 milionë lekë, por në ditët në vijim do të ketë një vlerë më të saktë.
“Në një vlerësim paraprak që u kemi bërë kostove të këtyre zgjedhjeve, duke përfshirë personelin që do të angazhohet , identifikimin elektronik dhe gjithë pjesa tjetër, kemi një vlerë të rreth 306 milionë lekë, përafërsisht. Por, nesër, ndoshta deri pasnesër, e kemi të finalizuar buxhetin për këto zgjedhje.”, tha ai.
A do të ketë votim elektronik në një nga këto gjashtë bashkitë? Pavarësisht se kjo formë votimi ka qenë më herët një risi, duket se këtë herë nuk do të jetë e pranishme, pasi nuk duket si një vlerë e shtuar, siç shprehet Celibashi, për shkak të kohës së shkurtër.
“E kemi diskutuar, në lidhje me këtë çështje. E kemi parë si jo shumë të gjetur nëse do të vendosim votimin elektronik në ndonjë apo disa njësi njësi vendore. Pro më shumë për faktin që nëse do kishte rastin i ndonjërës prej atyre njësve qëndrore ku më përpara është aplikuar votimi elektronik, do të bentë sens e do të kishte kuptim, sepse ata do të ishin votues që e kanë një eksperiencë te krijuar. E do të ishte me dobi. Në situatën aktuale, duke konsideruar kohën, nuk besoj se do kishte vlerë të shtuar”, tha ai.
Fraksion.com

