Lirimi i hapësirave publike, Rama: Aktivitet ekonomik i formalizuar dhe qytete më europiane
Lirimi i hapësirave publike nga subjektet që kanë zaptuar trotuaret dhe ambientet e dedikuara për komunitetin dhe qytetarët, vazhdon në të gjithë vendin.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga lirimi i hapësirave publike nga një subjekt me aktivitet gomisterie që kishte zaptuar pa leje hapësirën publike.
Rama siguroi se ky aksion do të sigurojë më shumë aktivitet ekonomik të formalizuar dhe qytete më europiane dhe më të pastra.
“Më shumë hapësira të lira e më pak ndotje në çdo komunitet si fillim dhe pastaj më tej, më shumë gjelbërim, më shumë kënde komunitare për të gjithë, më shumë aktivitet ekonomik i formalizuar dhe qytete më europiane, më të pastra, më të bukura, më të gatshme për Shqipërinë 2030 në BE. Ecim”, shkruan Rama.
Lirimi i hapësirave publike shihet si pjesë e vizionit të qeverisë “Rilindja Urbane 2.0”.
Në këtë kuadër, Rama ka paralajmëruar se po hartohet edhe Rregullorja Kombëtare në të cilën do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojë biznesi.
Lirimi i hapësirave publike është i domosdoshëm për rritjen e cilësisë së shërbimeve, por edhe funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.
Lirimi i hapësirave publike ka nisur në fillim të muajit korrik dhe do të vijojë të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të cilësisë së jetës në komunitet.
Fraksion.com

