Rama në Vlorë: Kioskëzimi i trotuareve i papranueshëm, çdo rrugë në funksion të këmbësorëve
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sërish sot një vizitë në qytetin e Vlorës ku u takua me drejtuesit lokalë si dhe deputetët e qarkut. Takimi kishte në fokus lirimin e hapësirave publike dhe kthimin e tyre tek qytetarët. Në fjalën e tij kreu i qeverisë tha se deputetët duhet të dalin në terren dhe t’u shërbejnë qytetarëve.
Rama theksoi se “problemi i hapësirave publike është një problem që po trajtohet në terren”. Kryeministri theksoi se prioritet do të jenë këmbësorët.
“Kemi folur për një qasje të strukturuar dhe praktikisht të gjithë përfaqësuesit e grupeve të deputetëve që ishin në listën e 11 majit në bashkinë e Vlorës janë drejtpërdrejt të përfshirë në mbulimin e territorit duke shpërndarë kështu barrën e mbulimit të komuniteteve me më shumë supe dhe duke shfrytëzuar faktin që kemi në dorë disa deputetë dhe deputete që janë praktikisht përfaqësues të Shqipërisë.
“Problemi i hapësirave publike është një problem i madh në Vlorë, e kemi trajtuar me shumë vëmendje dhe tani është koha për ta trajtuar me shumë rigorozitet në territor. Nuk ka asnjë tendencë për t’i ngushtuar frymëmarrjen bizneseve, por ka një domosdoshmëri për të harmonizuar interesat e të dyja palëve, me prioritet qytetarët që ecin më këmbë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u ndal edhe tek Lungomarja, ku theksoi se njësitë e shërbimi do të kenë një dizajn të ri.
“Dhe Lungomarja e cila u bë motor i transformimit urban, por edhe të ekonomisë vendore, në aspektin e vlerës së shtuar që krijoi, duhet të kalojë tani në një nivel tjetër të paraqitjes dhe të shërbimit. Kioskëzimi i trotuarit është i papranueshëm dhe pasi është krijuar plotësisht trotuari i dedikuar vetëm për këmbësorët.
“Do t’u jepet të gjithë njësive të shërbimit në Lungomare dhe një dizajn i ri, shpresojmë ta kemi gati në shtator – tetor, që kemi filluar ta punojmë, në mënyrë që të harmonizojmë dhe nevojën e tyre dhe interesin e tyre për të pasur një shërbim të mjaftueshëm, me nevojën e qytetit për të pasur një pritje sa më spektakolare. Nga ana tjetër ajo është pasqyra kryesore, pasqyra e sallonit, por ajo problematikë aty është në të gjitha rrugët e Vlorës ku ka njësi tregtare, dhe në të gjitha rrugët do të veprohet në funksion të këmbësorëve”, tha Rama.
Fraksion.com

