Kosova pa Kuvend: Deputetë sot në përpjekjen e 43-të
Deputetët mblidhen sërish sot, më 7 korrik, në një tentim të radhës për konstituimin e legjislaturës së nëntë. Kjo është përpjekja e 43-të me radhë për ta bërë Kuvendin. Vazhdimi i fundit i seancës u bë mbrëmjen e së shtunës, më 5 korrik, pasi gjatë ditës pati një alarm të rrejshëm për bombë.
Dështimet për konstituimin e Kuvendit po vazhdojnë edhe pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka obliguar deputetët që ta bëjnë Kuvendin më së largu deri më 26 korrik, shkruan KosovaPress. Seanca konstituive ka nisur më 15 prill, pas së cilës deputetët e zgjedhur janë betuar por nuk kanë arritur ende t’i formojnë trupat e legjislativit.
Procesi ka ngecur te zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, për çka Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion me Guxo dhe Alternativa, nuk po mund t’i sigurojnë 61 votat e nevojshme – në votim të hapur – për ta zgjedhur Albulena Haxhiun në krye të këtij institucioni.
Ata po kërkojnë që votimi të bëhet në mënyrë të fshehtë, por kjo po kundërshtohet nga partitë e tjera parlamentare. Thirrje për të dalë nga kjo krizë institucionale ka brenda dhe jashtë Kosovës, shkruan KosovaPress. Deri më tash, presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar disa takime me përfaqësues të partive politike – si përpjekje për ta zgjidhur ngërçin, por të gjtiha të pasuksesshme.
Fraksion.com

