Besimtarët myslimanë festojnë sot Kurban Bajramin, festën që simbolizon sakrificën sublime të babait të profetëve, Ibrahimit a.s.
Në të gjithë vendin, besimtarët myslimanë e kanë nisur kremtimin e kësaj feste të shenjtë që në orët e para të mëngjesit duke iu drejtuar xhamive për të falur Namazin.
Në Tiranë, qindra besimtarë myslimanë falën Namazin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, por edhe në xhamitë e tjera të kryeqytetit.
Në kryeqytet, programi i Kurban Bajramit nisi me leximin e disa ajeteve Kuranore nga hafizi Enes Hyka, duke i dhënë një atmosferë të thellë shpirtërore këtij momenti të veçantë.
Më pas, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, mbajti fjalën përshëndetëse, ku uroi besimtarët myslimanë dhe të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit, për Festën e Kurban Bajramit, duke theksuar vlerat e solidaritetit, sakrificës dhe mëshirës që përcjell kjo ditë e begatë.
“Simbolika e kësaj feste na mëson se besimi nuk është vetëm fjalë, por vepër; nuk është vetëm ritual, por angazhim i sinqertë për të qenë më të drejtë, më të ndershëm dhe më të mëshirshëm. Andaj, në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, i ftoj të gjithë shqiptarët, nga çdo shtresë dhe çdo bindje, që këtë festë ta jetojmë me dashuri dhe përgjegjësi. Të shohim njëri-tjetrin me sy njerëzor, të ndihmojmë, të falim dhe të bashkëpunojmë për një shoqëri më të drejtë, më të begatë dhe më të bashkuar,” – tha ai.
Më tej, ai bëri thirrje për më shumë reflektim mbi vlerat hyjnore në çdo punë apo përgjegjësi, publike apo private qoftë ajo. “Kurban Bajrami është një ftesë kah e mira, e moralshmja, e virtytshmja për të gjithë, pa dallim: për punëtorin dhe fermerin që me djersën e ballit mbajnë familjet e tyre; për nënat dhe gjyshet që rrisin brezat me durim dhe besim; për të rinjtë që kërkojnë vendin e tyre në shoqëri; për mësuesit që mbjellin dituri dhe vlera; për mjekët që i shërbejnë jetës; për sipërmarrësit; për intelektualët dhe drejtuesit që ndikojnë në mendimin dhe zhvillimin e shoqërisë”, u shpreh Kryetari Spahiu në fjalën e tij.
Ceremonia u zhvillua më tej me ligjëratën e Nënkryetarit të KMSH-së, Taulant Bica, i cili solli në vëmendje domethënien shpirtërore të kësaj feste dhe e lidhi kuptimin e Kurbanit me përpjekjen për t’u afruar me Allahun Fuqiplotë dhe për të ruajtur vlerat e pastra të besimit. “Është vërtet e pakontestueshme se Allahu nuk ka nevojë për adhurimin tonë, as për mishin apo gjakun e Kurbanit. Ai është i Vetëmjaftueshëm dhe i Plotfuqishëm. Por ne, në dobësinë tonë, kemi nevojë për mëshirën dhe afërsinë e Tij. Ndaj, akti i flijimit është për ta pastruar veten tonë nga egoizmi, për ta forcuar lidhjen me Krijuesin dhe për të dëshmuar gatishmërinë tonë për të sakrifikuar nga ajo që duam, për të fituar kënaqësinë e Allahut. Prandaj, le të përpiqemi me gjithë zemër që në këto ditë të bekuara të Bajramit, ta kryejmë këtë adhurim madhor. Le të presim kurban me sinqeritet dhe përkushtim”, theksoi Nënkryetari Bica.
Programi kulmoi me faljen e namazit të Kurban Bajramit, ku mijëra besimtarëve të mbledhur në bulevard u priu Kryetari i KMSH-së, H. Bujar Spahiu.
Fill pas faljes së namazit, imami i xhamisë “Et’hem Bej”, Elton Karaj, mbajti hutben e Bajramit, hutbe në të cilën trajtoi disa aspekte sociale të kësaj feste.
“Kjo ditë është thirrje për t’u afruar me njëri-tjetrin, për të falur, për të ndarë gëzimin me familjen, me të afërmit, me fqinjët dhe me ata që ndoshta nuk kanë asgjë në sofrën e tyre sot. Është dita që për hatër të Allahut të lëmë mënjanë zemërimet, armiqësitë dhe hatërmbetjet. Sepse bajrami ka kuptim, kur shpirti i tij depërton në shpirtin tonë, zbut zemrën dhe e kthen butësinë në veprim.” – tha ndër të tjera Karaj.
Në përfundim besimtarët e shumtë të mbledhur me këtë rast shkëmbyen mes tyre urimet më të përzemërta të kësaj dite të mbushur me paqe, dashuri, solidaritet dhe sakrificë.
Kurbani është një festë në të cilën në çdo zemër e vatër duhet të hyjë gëzimi, dora e solidaritetit dhe përkrahjes.
Kjo festë është festa e ngjalljes së shpresës dhe e optimizmit për të vazhduar me këmbëngulje besnikërinë ndaj Zotit të gjithësisë, se ai është Falës i Madh, Mëshirues i Pakufijshëm”.
Me emrin e kësaj feste janë të lidhura ngjarje madhore që kanë ndryshuar rrjedhën e historisë, si: rindërtimi i Qabes, haxhi, emërtimi “mysliman”, etj.
Kurbani paraqet materializimin e nijetit dhe të gatishmërisë, që në emër të Allahut të flijohet. Përveç aspektit shpirtëror të kurbanit, është i rëndësishëm edhe aspekti social i tij, ndihma për atë që nuk ka, në mënyrë që të gjithë së bashku të festojnë këtë festë islame.
Sipas fesë myslimane, riti i faljes së Bajramit të Madh konsiston në dy momente: e para, është lutja nëpërmjet të cilës shprehet adhurimi për Zotin dhe më pas vjen predikimi. Për këtë ditë të shënuar theret një dash apo një dele e rritur, e cila i dedikohet Zotit. Mishi ndahet mes pjesëtarëve të familjes, mes miqve dhe i dhurohet të varfërve.
Fraksion.com