AktualitetPolitikëTë fundit

Manastirliu: Universiteti spanjoll me filial në Gjirokastër, njihen gradat dhe titujt

Këshilli i Ministrave miratoi sot një marrëveshje me Universitetin Kombëtar të Arsimit në Distancë, Spanjë, për hapjen e filialit të tij në Gjirokastër.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, në një dalje për mediet pas mbledhjes së qeverisë.

“Është një prej universiteteve më prestigjioze në botë, me modalitetet e studimit në distancë dhe ato të përzier. Një universitet shtetëror i Spanjës që do të sjellë një seri programesh studimi në tre ciklet e studimit, por edhe kurse të formimit profesional”, theksoi Manastirliu.

Ministrja Manastirliu u shpreh se janë më shumë se 30 programe studimi të ciklit Bachelor, 80 programe të ciklit Master dhe 20 programe doktoraturash që ky universitet ofron në të gjitha vendet e botës, pasi është një prej universiteteve të edukimit në distancë i cili ka një shtrirje dhe filialet e tij janë në më shumë se 20 vende të hapura në mbi 70 qytete.

Hapja e këtij universiteti në Gjirokastër, vijoi Manastirliu, hap një tjetër perspektivë zhvillimi për arsimin e lartë në Shqipëri dhe veçanërisht në Gjirokastër, ku do të ndërlidhen edhe programet e studimit me trashëgiminë kulturore, turizmin dhe të gjitha aspektet të zhvillimit ekonomik që presin jo vetëm Gjirokastrën, por të gjithë vendin.

“Kjo ofertë do të ketë interes të shtuar nga studentët shqiptarë, ata të Ballkanit Perëndimor, rajonit dhe më gjerë, të cilët mund të regjistrohen në kampusin e Gjirokastrës që pritet të hapet që në këtë vit akademik dhe pritet ta fillojë në vitin akademik 2024-2025. Janë më shumë se 150 mijë studentë që ndjekin programet e Universitetit Kombëtar të Arsimit në Distancë të Spanjës, me gjithë shtrirjen që ka në vendet e botës”, theksoi Manastirliu.

Ministrja Manastirliu e cilësoi hapjen e këtij filiali një tjetër hap drejt ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë drejt përmirësimit të ofertës akademike në Shqipëri dhe të gjithë aspekteve që lidhen me cilësinë e arsimit të lartë në vendin tonë.

“Ky filial nuk do të jetë i fundit, se po punojmë me universitete të tjera prestigjioze për të hapur filiale të tjera në degët e universiteteve në Shqipëri, sikurse jemi duke punuar edhe për aspekte për programe të përbashkëta dhe diplomat dyfishe me universitetet tona publike dhe jo publike”, theksoi Manastirliu.

Kjo marrëveshje, shtoi ajo, lejon njohjen e gradave dhe titujve në mënyrë automatike, kështu që krijohen edhe lehtësirat për aplikimin e studentëve shqiptarë dhe atyre të rajonit si dhe një ofertë të re akademike në Shqipëri.

Duke filluar nga viti akademik 2024-2025, UNED-i do të ofrojë programe studimi në Shqipëri në cikle dhe modalitete të ndryshme, sipas nevojave akademike të vendit. Kampusi i Gjirokastrës do të ndjekë të njëjtat standarde si të kampuseve të tjera të UNED-it, me rregullore të brendshme që rregullojnë hapjen, organizimin, gjuhën e studimit, kohëzgjatjen e programeve dhe mbylljen e tyre.

Kjo marrëveshje siguron njohjen automatike të gradave shkencore dhe diplomave të UNED-it në Shqipëri.

Viti akademik 2024-2025 sjell më shumë oferta akademike për Shqipërinë, duke shënuar një hap të rëndësishëm përpara në ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë, rritjen e konkurrencës, dhe hapjen e rrugës për bashkëpunime të reja për të përmirësuar cilësinë e arsimit.

Pas hapjes së Kolegjit të Evropës në Tiranë dhe marrëveshjes me Austrinë për reformimin e Universitetit Bujqësor të Kamzës, i hapet kështu rrugë edhe kampusit të ri në Gjirokastër, në qytetin e përfshirë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

UNED, universiteti i dytë më i madh në Evropë për numrin e studentëve të regjistruar, ka mbi 150,000 studentë. Që nga viti 1997, ai ka bashkëpunuar me UNESCO-n për të promovuar arsimin në distancë. Ky universitet ka kampuse në 60 qytete spanjolle dhe 20 qytete të tjera globalisht, duke përfshirë Berlinin, Bernën, Brukselin, Buenos Aires, Karakasin, Limën, Londrën, Mexico City, Parisin dhe Sao Paulo.

 

Fraksion.com