AktualitetBota+Të fundit

Blinken takohet me Netanjahun mes përpjekjeve për armëpushim në Gazë

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u takua të mërkurën në Jeruzalem me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu ndërsa në Kajro vazhdojnë bisedimet një marrëveshje të mundshme mes Izraelit e Hamasit për armëpushim në Gazë.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Matthew Miller tha se zoti Blinken “nënvizoi se pengesë për armëpushimin është Hamasi”.

Grupi Hamas deri më tani ka refuzuar të pranojë një propozim që bën thirrje për ndërprerje disa javore të luftimeve që tashme vazhdojnë prej 7 muajsh si dhe lirimin e personave që mbahen ende peng nga Hamasi në këmbim të lirimit të palestinezëve të burgosur në Izraeli.

Por edhe pse zoti Blinken bëri përgjegjës Hamasin për mos arritjen e armëpushimit, zoti Miller tha se kryediplomati amerikan i tha zotit Netanyahu se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mos bien dakord me thirrjet e udhëheqësit izraelit për ofensive tokësore në qytetin Rafah, në jug të Gazës, ku Izraeli thotë se synon të çrrënjosë 4 njësitë e mbetura të luftëtarëve të Hamasit.

“Nuk mundemi dhe nuk do të mbështesin një operacion të madh ushtarak në Rafah, pa një plan efektiv që siguron se nuk do të ketë lëndim të civilëve dhe jo, nuk e kemi parë një plan të tillë”, tha zoti Blinken në një konferencë për shtypin në Ashdod në Izrael.

Shtetet e Bashkuara, Kombet e Bashkuara dhe zyrtarë të shumtë botërorë kanë shprehur kundërshtimin ndaj një sulmi në Rafah për shkak se më shumë se një milion refugjatë palestinezë janë strehuar atje, shumë prej tyre të urdhëruar nga ushtria izraelite që të linin shtëpitë e tyre në veri të Gazës, gjatë javëve të para të luftës.

Zoti Netanyahu thotë se ofensiva në Rafahut është e nevojshme për të përmbushur qëllimin e Izraelit për eleminimin e kontrollit të Hamasit në Gazë dhe se kjo do të ndodhë pavarësisht nëse ka një marrëveshje me Hamasin për armëpushim dhe për lirimin e pengjeve.

 

Fraksion.com