“Kanalizimet e ujërave të zeza”, Këlliçi: Nuk do të ketë më diferencime për qytetarët e Tiranës, pas 14 majit
Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi u takua dhe bashkëbisedoi me banorë të njësisë 5 dhe 2 në Tiranë, ku ndau me ta, përfitimet që vijnë prej programit dhe 5 prioriteteve kryesore.
Në zonën e “Vilave Gjermane” dhe “Depove të Ujit”, Belind Këlliçi u përball ankesa nga banorët.
Pikërisht në zonën poshtë “Depove të Ujit”, Belind Këlliçi takoi disa qytetarë, të cilët treguan se bashkia e Tiranës nuk u ka dhënë zgjidhje për problemin e kanalizimeve të ujërave të zeza që dalin në sipërfaqe sa herë ka reshje shiu, dhe përfundojnë deri në banesa.
Belind Këlliçi tha se drejtorët në bashkinë e Tiranës, që duhet t’i japin zgjidhje këtyre problemeve, janë kthyer në ndërtues, duke harruar punën për të cilën paguhen nga taksat e qytetarëve.
“Edhe ia kanë kaluar Policisë Bashkiake. Pra është kërkuar ndërhyrje, që ta kuptojnë dhe ata që na ndjekin, Drejtoria e Higjenës i ka kërkuar ndërhyrje për shkak të situatës Njësisë Administrative Nr.2, pra Njësisë bashkiake Nr.2 dhe Policisë Bashkiake për të ndërhyrë këtu. E çfarë ka ndodhur? Kjo përgjigja e këtij Redi Mollës, referuar ankesës së z.Pavlo Sopi Qoti, që ndodhet në rrugën “3 Vëllezërit” është verifikuar dhe është hartuar projekti për rrjetin e kanalizimit që do të zbatohet sa më shpejt. Kanë kaluar deri tani 4 vjet e tre muaj. Shumë shpejt qenkan, katër vjet e tre muaj. Ky Redi Molla është ai që po ndërton hotelin 15 milionë euro bashkë me Mariglen Qaton. Që ta dini ju pse nuk ndërtohen këto, ta dinë qytetarët. Se në vend që të jetë punonjës i shtetit, e të merret me këto probleme, është duke ndërtuar hotel 15 milionë euro. Ky është problemi”, tha Këlliçi.
Belind Këlliçi tha se do të marrë fund trajtimi i qytetarëve me diferencime politike.
“Pas 14 majit Belind Këlliçi si kryebashkiak nuk do të bëjë më diferencime për qytetarët e Tiranës. Pse? Sepse demokratë e socalistë, me parti e paparti, ne ecim në të njëjtat rrugë. Ngecim në të njëjtin trafik. Kemi të njëjtat probleme kur vjen puna… ata fëmijët qëparë që ishin tek ajo zonë, që ishim tek depo e ujit, problem ishin kanalizimet e ujërave të zeza, aty ka dhe fëmijë socialistësh. Kur flet për problematikat e fëmijëve të qytetit nuk mund t`i ndash qytetarët në të majtë dhe të djathtë. Qytetarët duhen trajtuar të gjithë njëlloj”, -tha kandidati për bashkinë e kryeqytetit.
Nga Njësia Nr.2, Belind Këlliçi përsëriti ftesën ndaj Erion Veliajt për debat publik.
“Sërish gjej rastin ta ftoj Erion Veliajn në këto 8 ditë që kanë mbetur fushatë, ku je Erion? Vij vërdallë në të gjithë rrugët e Tiranës dhe nuk të gjej! Dal në qytet dhe në fshat, nuk të gjej! Shkoj nëpër studio dhe nuk të gjej, shkoj në studiot ku t`i përkëdhelesh më së shumti, dhe nuk të gjej. Pse fshihesh? Hajde në debat publik! A ke bërë punë për Tiranën? A ke 8 vite që punon për Tiranën? A të duhen qytetarët e Tiranës mor zotëri? Hajde mor flasim në publik, hajde të flasim për bilancin tënd të punës, për premtime e mia që ti pretendon që nuk realizohen dhe mbi të gjitha për një çështje që ti e ke përzemër, për shkollimin tim dhe për shkollimin tënd”,-u shpreh Këlliçi.
Fraksion.com

