3 ditë në luftë me flakët: Dëgjohen shpërthime të fuqishme të municioneve në ishullin e Sazanit
Teksa vijon beteja me flakët në ishullin e Sazanit, dëgjohen vazhdimisht shpërthime të forta. Dyshohet se shpërthimet vijnë nga granatat dhe municionet e tjera luftarake duke e bërë situatën akoma më të rrezikshme.
Nuk dihet si është gjendja e forcave zjarrfikëse, forcave të ushtrisë dhe punonjës që mbrojnë zonat pyjore, të cilët po punojnë për shuarjen e flakëve.
Prej tre ditësh, ishulli i Sazanit është në betejë me flakët dhe situata vijon të jetë shqetësuese pasi janë dëgjuar sërish shpërthime të municioneve. Zjarri është aktiv në një sipërfaqe te konsiderueshme në pjesën lindore të ishullit përballë qytetit të Vlorës. Me dhjetëra pisha shekullore janë shkrumbuar dhe vijojnë të digjen edhe gjatë kësaj të hëne. Gjatë mbrëmjes, Forcat e Armatosura kanë luftuar me flakët të mbështetur edhe nga ADZM, por shuarja e zjarrit ka qenë e pamundur.
Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile Haki Çako, i shoqëruar nga ekspertë zjarresh janë duke kryer vlerësim të situatës nga ajri mbi ishullin e Sazanit për nevojën e ndërhyrjeve të mëtejshme.
Çako tha se do të ndërhyjnë me helikopterë në momentin e përshtatshëm ndërsa thekson se situata është nën kontroll. Ndërsa vazhdimisht dëgjohen shpërthime të municioneve luftarake, Çako thotë se nuk ka asnjë rrezik.
Burime bëjnë me dije se Ministria e Mbrojtjes i ka urdhëruar të gjithë zjarrfikësit e policët që po luftojnë me flakët që të mos i përgjigjen asnjë telefonate dhe nuk lejojnë që të xhirohet asnjë video për t’iu shpërndarë mediave. Ndër të tjera në ishull nuk lejohet të hyjë asnjë person, qoftë turist apo punonjës mediash sepse ka municione. Pra, derisa të shuhen flakët e zjarrit dhe te pastrohen mbetjet e municioneve ishulli i Sazanit do të jetë i mbyllur për turistët.
Dyshohet se shkak i zjarreve në Sazan janë papërgjegjshmëria e pushuesve që shkojnë me mjete të vogla dhe pa leje, ndezin zjarre për ushqimet e tyre, ndërkohë qe në ishullin e Sazanit janë vetëm katër ushtarë që monitorojnë të gjithë ishullin. Ashtu si në çdo sezon veror, janë rikthyer vatrat e zjarrit në vendin tonë dhe shpesh herë, ndërhyrja është e vështirë për shkak të terrenit si dhe era favorizon përhapjen e flakëve.
Fraksion.com

