AktualitetPolitikëTë fundit

Alibeaj: Përcaktojmë profilin e presidentit të ri, marrim pjesë në proces jo si fasadë

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj informoi sot se “PD do të marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së presidentit, jo si fasadë por si detyrim ndaj zgjedhësve të saj”.

Pas mbledhjes së grupit të PD-së ku merrnin pjesë 22 deputetë, Alibeaj informoi se “për zgjedhjen e presidentit të ri do të ketë sërish një mbledhje tjetër, ditën e hënë”.

“Sot u diskutua axhenda parlamentare, u diskutua për Komisionet e posaçme që përbëjnë lëndë të parë për veprimtarinë opozitare, dhe u diskutua edhe për presidentin e ri. I falënderoj kolegët e mi për përgjegjshmërinë për të përballur këtë lloj procesi, një proces i rëndësishëm, që teston jo vetëm qasjen individuale, por edhe të PD-së. Deputetët dhanë mendimin e vet dhe lamë që në aspektin organizativ do të kemi një mbledhje tjetër ditën e hënë. Do të diskutojmë edhe me kryesinë e grupit”, tha ai.

Sipas Alibeaj, “deputetëve iu kërkua që në lidhje me këtë proces të ofrojnë kriteret që duhet të ketë presidenti i ri në vlera, profil etj.”.

Alibeaj theksoi se “ne do të marrim pjesë në proces me një sens përgjegjësie të madhe”.

“Deputetët ndanë dy çështje, të marrin pjesë në proces, por të mos përdoremi, të mos jemi fasadë. Marrja pjesë është detyrim ndaj zgjedhësve tanë, detyrim që duhet ta përmbushim me dinjitet duke qenë parimorë. Kërkojmë një proces gjithëpërfshirës e transparent në sytë e publikut”, tha ai.

Alibeaj theksoi se, të gjitha ato çështje që u diskutuan sot do t’u ofrohen dhe do t’u vendosen në dispozicion edhe deputetëve që nuk ishin të pranishëm në mbledhje, që të japin opinionin e tyre.

Sipas tij, “propozimet e të gjithë kolegëve në fund do të sintetizohen”.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com