SHBA lejon lëshimin e pasaportave neutrale lidhur me përkatësinë gjinore
SHBA do të lejojë shtetasit amerikanë të pajisen me pasaporta neutrale lidhur me përkatësinë gjinore. Kjo masë bëhet në vazhdën e politikave për respektimin e orientimit seksual dhe identitetit gjinor.
“Për një kohë shumë të gjatë, amerikanët transgjinorë, jobinarë dhe ata që janë të pasigurt për gjininë e tyre janë përballur me pengesa të konsiderueshme për të udhëtuar të sigurt si brenda Shteteve të Bashkuara dhe nëpër botë,” tha Shtëpia e Bardhë.
Shtetasit e SHBA-së që bëjnë kërkesë për pasaportë tani e tutje nuk kanë nevojë të ofrojnë dokumentacion mjekësor për të dëshmuar se janë jobinarë, ndërseksorë ose ata të pasigurt për gjininë që kanë. Pasaporta e parë amerikane në të cilën në vend të M/F kishte shenjën “X” u lëshua në tetor të vitit 2021.
Reduktim i kontrolleve trupore në aeroporte
Mundësia për t’u pajisur me dokumente me gjininë X edhe në sektorë të tjerë, si p.sh. në librezat e sigurimit social, patentat për drejtimin e makinave etj, do të jetë duke filluar nga viti i ardhshëm”, tha në një deklaratë ministri i Jashtëm i SHBA-së, Antony Blinken.
Edhe Enti për Sigurinë e Transportit (TSA), i cili është përgjegjës për kontrollin e sigurisë së linjave ajrore do ta heqë aspektin e kontrollit të gjinisë në rastet kur identifikon udhëtarët në pikat e kontrollit të sigurisë në aeroporte dhe do të reduktojë numrin e kontrolleve trupore.
Masat në fjalë vijnë vetëm pak ditë pasi guvernatorët e Arizonës dhe Oklahomës, nënshkruan ligje që ndalojnë sportistët transgjinorë të konkurrojnë në garet sportive të femrave në shkolla. Të drejtat transgjinore janë një nga çështjet e nxehta që politikanët dhe grupet lobuese po përdorin për të ndezur luftërat kulturore të Amerikës në vitin zgjedhor.
Fraksion.com

