AktualitetTë fundit

“Virusi nuk është zhdukur”; Bino, videmesazh: Të mos hedhim poshtë sakrificën e deritanishme

Virusi nuk është zhdukur. Me lehtësimin e masave shtrënguese, duhet të jemi më të përgjegjshëm për sjelljet individuale, që të mos hedhim poshtë sakrificën e deritanishme.

Ishin këto fjalët që përcolli në videomesazhin e saj drejtuesja e departamentit të Epidemiologjisë dhe Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, për qytetarët. Gjithashtu ajo kërkoj nga qytetarët të tregohen të kujdesshëm, gjatë lehtësimit të masave kundër koronavirusit, pasi virusi vazhdon të jetë mes nesh.

Bino në videomesazhin e publikuar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, thekson se është shumë e rëndësishme që qytetarët të jenë të ndërgjegjësuar për rëndësinë e zbatimit të masave për të kaluar edhe këtë fazë të dytë të koronavirusit, ashtu siç ndodhi në fazën e parë.

Mesazhi i Silva Binos:

Kam një mesazh për të gjithë qytetarët, pasi jemi në fazën e hapjes, lëvizjes, dhe duhet të jemi të kujdesshëm. Virusi nuk është zhdukur, as nga Shqipëria, as nga Evropa dhe as nga bota. Virusi qarkullon dhe për këtë ne duhet të jemi të kujdesshëm. Pavarësisht se dalim, duhet të jemi të përgjegjshëm për sjelljen tonë, pasi sjellja individuale është shumë e rëndësishme në këtë fazë. Faza që kaloi na ndihmoi të zbusnim kurbën e sëmundjes, që të mos kishim një ritëm të lartë të sëmundjes, të përhapjes së sëmundjes, por aktualisht ne duhet të jemi të përgjegjshëm dhe gjithë atë muaj të sakrificës ta kemi në favorin tonë.

Për këtë, janë sjelljet e qytetarëve, që duhet të jenë sa më të përgjegjshmë, pra të mos përqafohen, të mos shtrëngojnë duart, por të ruajnë distancë me njëri-tjetrin, pasi virusi mund të transmetohet gjatë përqafimeve, prekjes së duarve apo objekteve. Ruajtja e distancës, higjiena, mbajtja e maskës në mjedise të grumbulluara, në markete a dyqane që kanë mbi dy veta, do të na ndihmonte të ruanim veten dhe personat e tjerë.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com