AktualitetBota+Të fundit

Merkel takon Putinin më 11 janar

Kremlini bëri të ditur se kacelarja gjermane, Angela Merkel, ka pranuar ftesën e presidentit rus, Vladimir Putin, për të vizituar Rusinë më 11 janar.

Shërbimi për media i Putinit tha se ky i fundit dhe Merkel do të diskutojnë për krizën në Lindjen e Mesme, e cila është thelluar prejse një sulm i SHBA-së ka vrarë udhëheqësin e forcës Kuds të Iranit, Qasem Soleimani, më 3 janar.

Kremlini tha se dy liderët do të bisedojnë edhe për situatën në Siri, Libi dhe Ukrainë.

Zyra e Merkelit po ashtu konfirmoi se kancelarja gjermane planifikon të vizitojë Rusinë më 11 janar dhe të takojë Putinin.

Zëdhënësi i Merkelit, Steffen Seibert, tha se Merkel do të diskutojë “çështjet aktuale ndërkombëtare” me Putinin. Ato përfshijnë: Sirinë, Libinë, Iranin, Irakun dhe Ukrainën.

Seibert shtoi se Rusia “është një anëtare e rëndësishme në skenën botërore” dhe se “është e pashmangshme kur bëhet fjalë për zgjidhjen e konflikteve në botë”.

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, do ta shoqërojë Merkelin në Moskë, tha po ashtu Seibert.

 

Fraksion.com