AktualitetTë fundit

Pensioni i parakohshëm i punonjësve të Policisë së Shtetit dhe Gardës: 50% e pagës mujore

Punonjësit e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat të cilët kanë mbushur moshën 55 vjeç dhe kanë 30 vite pune do të përfitojë trajtim financiar, pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës deri në plotësimin e moshës për pension të plotë pleqërie.

Në Kuvend është dorëzuar projektligji i cili përcakton kriteret e përfitimit.

Qëllimi i këtij ligji është t’u garantojë trajtim financiar punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme, në rast të ndërprerjes së marrëdhënieve të punës, përpara daljes në pension të plotë pleqërie.

Për efekt të përfitimit të trajtimit financiar, sipas p/ligjit të propozuar, pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës, njihet si vjetërsi shërbimi, vjetërsia e shërbimit e përcaktuar në legjislacionin e posaçëm që rregullon veprimtarinë e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme.

Trajtimi financiar i punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme, është në masën 50% të pagës mujore neto, në momentin e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës me shërbimin përkatës.

Gjatë periudhës së trajtimit me pagesë kalimtare, sipas legjislacionit përkatës në fuqi, masa e trajtimit financiar, sipas këtij ligji, nuk duhet të kalojë masën e pagës mujore neto, në momentin e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës me shërbimin përkatës.

Trajtimi financiar përfitohet me kërkesë të punonjësit ose të titullarit të institucionit përkatës dhe miratohet nga Komisioni i Posaçëm. Përzgjedhja e përfituesve do të bëhet nga Komisioni i Posaçëm, sipas kritereve të moshës, të vjetërsisë në shërbim, aftësisë fizike të punonjësve dhe duhet të garantojë respektimin e parimeve të mosdiskriminimit, të objektivitetit, të transparencës dhe të paanshmërisë.

 

Fraksion.com