Ibrahimaj: Dyfishohet bonusi mujor për pensionistët në 2027, skema e re në 2028
Rritja e mbështetjes financiare për pensionistët, përmes dyfishimit të bonusit mujor dhe indeksimit të pensioneve, si dhe përgatitja e skemës së re të pensioneve janë ndër masat kryesore që parashikohen në buxhetin e vitit 2027 të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit.
Në një intervistë televizive ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj tha se “buxheti i vitit 2027 për MEI-n është rreth 42 miliardë lekë ku 70% e tij shkon për mbështetjen e sigurimeve shoqërore, pra për pensionet”.
“Në këtë buxhet ne kemi marrë masa që të mund të reflektohen mirëqenia, pra e gjithë rritja ekonomike të mund të rishpërndahet”, tha Ibrahimaj.
Një nga masat kryesore për vitin e ardhshëm është dyfishimi i bonusit mujor për pensionistët, duke filluar nga 1 janari 2027.
“Në vitin 2027 ne do të dyfishojmë bonus mujor siç kishim premtuar me qëllim që të ardhurat e pensionistëve të shkojnë drejt atyre tavaneve që ne kishim përcaktuar. Pra nëse i referohemi atyre personave që kanë vite të plota pune dhe kanë një pension nën 40.000 lekë, nëse këtë vit marrin 1800 lekë të reja ose 18.000 lekë të vjetra në muaj, këtë vit ata do të marren 36.000 ALL në muaj ose 3600 lekë”, tha Ibrahimaj.
Krahas bonusit mujor, në prill të vitit 2027 do të kryhet edhe indeksimi i radhës i pensioneve, për të cilin është parashikuar një fond prej 4 miliardë lekësh.
“Ne këtë vit e afruam në korrik dhe në 2027-n do fillojë të shpërndahet në muajin prill siç historikisht në fakt ka qenë e reflektuar. Ka një kosto totale prej 4 miliard lekësh”, tha Ibrahimaj.
Sa i përket reformës së pensioneve, Ibrahimaj bëri të ditur se skema e re pritet të finalizohet gjatë vitit 2027, ndërsa zbatimi i saj do të nisë në fillim të vitit 2028.
“Skema e pensioneve do të finalizohet gjatë vitit 2027 dhe besoj që do fillojë materializimi nga fillimi i vitit 2028”, u shpreh ajo.
Fraksion.com

