Protesta para Kuvendit! “Boll duruam, policia urdhër nga Rama për të na dhunuar! Studentja: Shqipëria është e jona, e vendos rinia se si do të jetë!
Studentët pas përplasjes me Policinë tek Rruga e Durrësit, ku ndodhet edhe Ministria e Arsimit, janë drejtuar drejt godinës së Kuvendit.
Gjatë përshkimit të rrugës tek Ministria e Ekonomisë, ata shkelmuan dhe thyen një prej dyerve të ministrisë.
Disa prej protestuesve kanë dëmtuar kamerat e sigurisë që ndodhen në Rrugën e Elbasanit. Ndërkohë, Policia hodhi gaz lotsjellës ndaj protestuesve që ndodhen përpara Kuvendit të cilët ishin duke goditur me gurë.
Protestuesit gjithashtu kanë qëlluar me gurë drejt godinës së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Po ashtu, të rinjtë u ulën në rrugë duke bllokuar qarkullimin rrugor pranë kësaj ministrie.
Të rinjtë kanë bojkotuar edhe sot mësimin duke iu përgjigjur thirrjeve për protestë në ditën e tretë në Tiranë.
Situata në Rrugën e Durrësit u përshkallëzua, pasi disa prej protestuesve kanë shkulur tabelat gjatë rrugës si dhe pllaka nga trotuaret dhe i kanë hedhur drejt forcave të Policisë.
Policia ka ndërhyrë disa herë me ujë me presion për të shpërndarë të rinjtë që godisnin me gurë dhe pllakat e trotuarit.
Situata e krijuar nga protesta ka sjellë bllokim të rrugëve kryesore në kryeqytet, ndërkohë që në terren ndodhen forca të shumta të Policisë, të cilat kanë marrë masa për ruajtjen e rendit dhe parandalimin e dëmtimeve të objekteve.

