AktualitetBota+Të fundit

Rausch i AfD-së, President i Parlamentit në Saksoni-Anhalt

Për herë të parë që nga fundi i luftës, parlamenti i një landi gjerman zgjodhi president një politikan të skajit të djathtë. Votimi ishte i fshehtë. Fituesi: Tobias Rausch i AfD-së.o

Që herët në mëngjes, rreth 500 vetë mblidhen në sheshin e Katedrales në Magdeburg. Ata tregojnë hapur se ky 6 tetor nuk është për ta një ditë e zakonshme. Një banderolë mban shkrimin «Kundër harresës – fashizmi duhet të mbetet krim», një tjetër «asnjë bashkëpunim me të djathtën ekstreme».

Përballë katedrales madhështore, në anën tjetër të sheshit, ndodhet parlamenti i landit (Landtag). Atje, në orën 12:40, deputetët zgjedhin me votim të fshehtë kryetarin e tyre: Tobias Rauschin e «Alternativës për Gjermaninë» (AfD). Ai merr 48 vota, 9 më shumë sesa mandatet që ka AfD-ja. Kjo shifër është katër vota më shumë sesa mandatet e AfD-së dhe të BSW-së së bashku. BSW-ja, «Aleanca për Drejtësi Sociale dhe Arsye Ekonomike», kishte njoftuar se do të votonte për Presidentin e Parlamentit nga AfD. Për këtë do të flasim më poshtë. Të gjitha partitë e tjera e kishin përjashtuar këtë para zgjedhjes.

Mbrojtja e kushtetutës: «AfD-ja në Saksoni-Anhalt është ekstremiste e djathtë»

Rezultati shënon një kthesë historike, jo vetëm për Saksoni-Anhaltin,  por për mbarë Gjermaninë. Kjo ndodh për herë të parë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore (1945) dhe themelimi i Republikës Federale të Gjermanisë (1949). Një land gjerman ka tani në krye të parlamentit përfaqësuesin e një partie ekstremiste të djathtë. Kështu e klasifikon AfD-në lokale Zyra e landit për Mbrojtjen e Kushtetutës, shërbimi informativ i brendshëm.Demonstruesit protestojnë me një pankartë ku shkruhet "Asnjë bashkëpunim me të djathtën ekstreme" jashtë seancës inauguruese të parlamentit të landit të Saksonisë-Anhalt.

Protestë kundër bashkëpunimit me të djathtën ekstreme para parlamentit të landit, 6 tetor 2026Fotografi: Hendrik Schmidt/dpa/picture alliance

Seancën e hapi deputetja e partisë E Majta (Die Linke), Eva von Angern. Ajo e drejtoi në cilësinë e deputetes më të moshuar të parlamentit. Pak më parë ajo ndodhej ende mes protestuesve në shesh. Zakoni është që, para zgjedhjes së kryetarit të ri, seancën ta drejtojë anëtari më i vjetër në moshë. Në sallën e plenumit, von Angern kujtoi se në historinë gjermane vetëm pak gra kanë mbajtur një detyrë të tillë. Ajo përmendi ish-komunisten Clara Zetkin. Më 1932, Zetkin ishte deputetja më e moshuar e Rajhstagut (Reichstag). Kjo ndodhi pak para se nacionalsocialistët të rrëmbenin pushtetin.

Në atë çast, nga grupi i AfD-së nuk u ngrit asnjë dorë për duartrokitje. Pastaj von Angern citoi Ligjin Themelor , kushtetutën gjermane: «Dinjiteti i njeriut është i paprekshëm». Ajo shtoi se këtu bëjnë pjesë njerëz me gjini, botëkuptim, fe ose ngjyrë lëkure të ndryshme. Në fund citoi ish-presidentin e Gjermanisë Richard von Weizsäcker: «Dinjitetin e vet e shpreh ai që respekton dinjitetin e njerëzve të tjerë.» Përsëri, nga radhët e AfD-së nuk lëvizi asnjë dorë.

Dyshime për nepotizëm ndaj Rausch-it

Tobias Rausch, 35 vjeç, tregtar pasurish të paluajtshme, njihet pak jashtë Saksoni-Anhaltit. Shumë vëzhgues e quajnë një politikan relativisht të afrueshëm të AfD-së. Ai vetë thotë se nuk është politikan i vijës së ashpër. Emri i tij kaloi kufijtë e landit në fillim të vitit. Atëherë mjaft politikanë të AfD-së u akuzuan se si deputetë bënin nepotizëm.

Rausch pranoi vetë se në zyrën e deputetit punësonte disa miq nga klubi i tij i futbollit. Grupi i tij nuk e pa këtë si pengesë dhe e propozoi President të parlamentit. Formalisht, ky është posti me rangun më të lartë në land.

Pas zgjedhjes, Rausch-i dha siguri: «Këtë detyrë nuk do ta ushtroj si kryetar i një grupi parlamentar, por si kryetar i të gjitha grupeve.» Dhe shtoi: «Rregullat duhet të vlejnë edhe kur ndryshojnë shumicën.»

Një bllok i madh deputetësh të AfD-së – në mes të sallës

Jo të gjithë në parlament duan t’i besojnë kësaj dore të shtrirë. Në seancën e parë pas zgjedhjeve, salla ishte plot. Kur hedh shikimin nëpër sallë në këtë seancë të parë pas zgjedhjeve, bie në sy forca me të cilën AfD-ja synon të bëjë politikë këtu. Grupi, i përbërë në pjesën më të madhe nga meshkuj, është ulur në mes të sallës, me shikimin e ngulur te foltorja. Kjo mund të ketë efekt frikësues.

Partia e ekstremit të djathtë nuk ulet në skajin e djathtë të sallës, siç ndodh zakonisht në parlamente. Majtas dhe djathtas ka vendosur «partitë e vjetra», që i përçmon. Fjala është për CDU-në, SPD-në, të Majtën dhe të Gjelbrit. AfD-ja e arriti këtë në marrëveshjen mes grupeve para hapjes së parlamentit. Me sa duket, renditja duhet të simbolizojë një kthesë epokale në Saksoni-Anhalt: AfD-ja dominon qendrën.

Saksoni-Anhalt – zgjedhje rajonale me vëmendje ndërkombëtare

Zgjedhjet e 6 shtatorit të këtij viti ishin ndoshta zgjedhjet më të ndjekura të një landi gjerman prej shumë vitesh. Për të ndjekur votimin, në Magdeburg udhëtuan disa qindra gazetarë, edhe nga jashtë vendit.Pamje e ndërtesës së parlamentit të landit para seancës konstitutive të parlamentit të landit të Saksonisë-Anhalt.

Parlamentit i landit të Saksonisë-Anhalt-itFotografi: Jan Woitas/dpa/picture alliance

Në këtë land të Gjermanisë qendrore, mes Elbës dhe maleve Harz, kishin të drejtë vote vetëm rreth 1,7 milionë njerëz. Megjithatë, që muaj para 6 shtatorit të gjitha sondazhet tregonin të njëjtën gjë. AfD-ja, pjesërisht ekstremiste e djathtë, do të dilte qartazi partia më e fortë. Dukej e mundur edhe që të merrte shumicën absolute të votave.

Fitore e qartë zgjedhore, por pa shumicë të vetën

Këtë në fund AfD-ja nuk e arriti, por fare pak i mungoi. Në parlamentin e ri ajo ka 39 nga 83 mandate, ndërsa për shumicën absolute i duheshin 42. Po aq mandate, 39, kanë së bashku CDU, e Majta, SPD dhe të Gjelbrit.

“Aleanca për Drejtësi Sociale dhe Arsye Ekonomike”e themeluar nga Sahra Wagenknecht, ish-politikane e së Majtës ka pesë mandate dhe mund të vendosë nëse kandidati kryesor i AfD-së, Ulrich Siegmund, do të bëhet kryeministër i landit. BSW-ja kishte njoftuar se do të votonte për Rauschin si President i parlamentit, por nuk do të votonte Siegmundin për kryeministër. Kryeministri i deritanishëm, Sven Schulze (CDU), mbetet në post derisa parlamenti të zgjedhë pasardhësin. Sipas deklaratave zyrtare, për kandidatin Siegmund nuk shihet tani për tani asnjë shumicë.

Megjithatë, në dhjetor ai do të paraqitet për votim në parlament, dhe votimi do të jetë i fshehtë. Në radion Deutschlandfunk, Siegmund njoftoi se do të provojë vetëm në një raund. «Kjo është krejt e qartë. Nëse nuk do të gjeja shumicë, atëherë natyrisht do ta kisha të vështirë t’i shpjegoja publikut se unë, Ulrich Siegmund, do të vazhdoja qeverisjen këtu me stabilitet.» Nëse dështon në raundin e parë, ka gjasa për zgjedhje të reja.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe kryetari i ri i parlamentit nga AfD-ja, Tobias Rausch, në mëngjesin para zgjedhjes. Në televizionin RTL ai tha: «Nëse në raundin e parë nuk kemi shumicë, nuk do ta kemi as gjatë gjithë mandatit. Atëherë parlamenti nuk dëshiron që ne të qeverisim.» Saksoni-Anhaltin e presin, në çdo rast, kohë të trazuara./DW

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com