AktualitetKosovaTë fundit

Kosovë – Ditë vendimtare për presidentin dhe ndryshimet në Ligjin për Specialen

6 tetori është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës; nëse Kuvendi dështon, ai shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja.

Sot është, rrjedhimisht, edhe mundësia e fundit që kjo përbërje e Kuvendit t’i votojë në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Ndërsa partitë ende nuk kanë marrëveshje për presidentin, protestat për ndryshimin e Ligjit për Specialen – që të hënën u përshkallëzuan në dhunë – pritet të vazhdojnë edhe sot.

Çfarë mund të ndodhë sot?

Në fund të ditës, fati i dy proceseve mund të varet nga njëri-tjetri.

Nëse Kuvendi arrin ta zgjedhë presidentin, legjislatura vazhdon mandatin dhe ndryshimet për Specialen mund ta vazhdojnë procedurën parlamentare.

Nëse presidenti nuk zgjidhet deri në skadimin e afatit kushtetues, Kuvendi shpërndahet dhe Kosova hyn në një cikël të ri zgjedhor.

Kjo është arsyeja pse 6 tetori është, praktikisht, edhe mundësia e fundit që kjo përbërje e Kuvendit ta miratojë në lexim të dytë projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Ende nuk dihet nëse dhe kur do të mblidhet Kuvendi

Për momentin, nuk është paralajmëruar asnjë mbledhje e komisioneve parlamentare dhe as ndonjë seancë e Kuvendit të Kosovës.

Kjo në ditën kur skadon afati për zgjedhjen e presidentit të ri dhe kur mbetet i papërfunduar edhe shqyrtimi i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Megjithatë, gjatë ditës mund të ketë thirrje për seancë të jashtëzakonshme.

Qorolli: Ta votojmë presidentin dhe projektligjin për Specialen

Kryetari i Komisionit për Legjislacion të Kuvendit të Kosovës, Vigan Qorrolli, nga Lëvizja Vetëvendosje, bëri thirrje që të martën të votohet si presidenti i ri, ashtu edhe projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

“Sot nuk është dita për ta çuar shtetin në prapakthim: e votojmë presidentin dhe e votojmë projektligjin për Specialen, sepse të dyja janë pjesë e të njëjtit detyrim – t’i japim vendit institucione funksionale dhe vendimmarrje”, shkroi Qorrolli në Facebook.

Ai paralajmëroi për pasojat e dështimit për ta zgjedhur presidentin, që do të çonte në shpërndarjen e Kuvendit dhe në zgjedhje të parakohshme.

“Shkuarja në zgjedhje e lëndon Hagën dhe Republikën tonë”, tha Qorrolli, duke kritikuar mundësinë që partitë të mos arrijnë marrëveshje.

Kuvendi mund të shpërndahet, por kush i shpall zgjedhjet?

Nëse Kosova nuk e zgjedh presidentin sot, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.

Por, kush do t’i shpallë ato?

Mandati gjashtëmujor i Albulena Haxhiut si ushtruese e detyrës së presidentit ka përfunduar, ndërsa Kushtetuta nuk e thotë qartë se kush i ushtron kompetencat presidenciale pas këtij afati.

Një paqartësi kushtetuese pikërisht në ditën kur skadon afati për zgjedhjen e presidentit./REL

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com