AktualitetNATO/BETë fundit

Dita e Bashkimit Gjerman: Steinmeier paralajmëron

Presidenti gjerman tha se Gjermania po kalon aktualisht një “krizë vërtet të thellë” dhe paralajmëroi gjatë ceremonisë për Ditën e Bashkimit Gjerman nga ekstremizmi.

Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, paralajmëroi gjatë ceremonisë qendrore për Ditën e Bashkimit Gjerman se demokracia po përballet me kërcënime gjithnjë e më të mëdha nga ekstremizmi. “Demagogjia e papranueshme politike e forcave ekstremiste, të cilat ushqejnë dëshirën për shkatërrim dhe tallin e kërcënojnë njerëzit e tjerë, sot nuk rrezikon vetëm lirinë dhe demokracinë. Ajo rrezikon edhe unitetin tonë”, tha Steinmeier.

Sipas tij bashkimi gjerman më 3 tetor 1990 ishte meritë e njerëzve të guximshëm që u ngritën kundër diktaturës në ish-Republikën Demokratike Gjermane (RDGJ). Ata bënë të mundur revolucionin e parë paqësor në Gjermani, duke hapur rrugën për liri dhe demokraci. “Kurrë nuk duhet të lejojmë që sfidat e së tashmes ta zbehin këtë moment fatlum të historisë gjermane. Kurrë nuk duhet ta lëmë atë të harrohet. Harresa do të ishte tradhti”, theksoi presidenti gjerman.

Shumë qytetarë të zhgënjyer

Megjithatë sipas Steinmeierit shumë njerëz si në lindje ashtu edhe në perëndim të Gjermanisë ndihen të zhgënjyer në pritshmëritë e tyre. Gati katër dekada pas bashkimit të Gjermanisë dhe pas përpjekjeve historike dhe pa precedent për rindërtim dhe modernizim, një pjesë e madhe e qytetarëve po shpreh mosbesim ndaj rendit politik të Republikës Federale të Gjermanisë. Sipas Presidentit nuk duhet të shmanget fakti se “një e katërta, madje edhe më shumë e votuesve, tregojnë me votën e tyre se po largohen nga të drejtat e rëndësishme kushtetuse të republikës sonë”.Bremen 2026 | Frank-Walter Steinmeier duke folur

Steinmeier: Gjermania po kalon aktualisht një “krizë vërtet të thellë” dhe shumë njerëz si në lindje ashtu edhe në perëndim të Gjermanisë ndihen të zhgënjyer në pritshmëritë e tyre. Fotografi: Sina Schuldt/dpa/picture alliance

Steinmeier bëri thirrje për rikthimin e një kulture të vërtetë debati, por theksoi se nuk duhet të ketë urë lidhëse “midis së drejtës dhe përbuzjes së ligjit, midis përpjekjes për të vërtetën dhe gatishmërisë për të gënjyer, midis argumentit dhe demagogjisë”.

Ai paralajmëroi gjithashtu se nuk duhet lejuar që në Gjermani të përhapen sërish qëndrime antisemitike dhe që hebrenjtë të detyrohen të shqetësohen për sigurinë e tyre.

“Mendoja se demokracia jonë ishte e sigurt” – tha Steinmeieri. Ai tha se kishte menduar se të gjithë e kishin nxjerrë mësimin nga historia, por tani po sheh se mbështetësit e ekstremit të djathtë po përpiqen të fshijnë kujtesën e viktimave të Holokaustit. “Kam menduar se demokracia jonë ishte e sigurt, por po shoh se ajo po vihet sërish në pikëpyetje. Prandaj, në të ardhmen bëhet fjalë për vetëmbrojtjen e demokracisë”, deklaroi Steinmeier.

Duke iu referuar rrjeteve sociale kreu i shtetit paralajmëroi për përhapjen e absurditeteve më të skajshme dhe të një emocionalizimi të tepruar, të shoqëruar nga pasiguria nëse një mesazh është shkruar nga një njeri apo nga makinë.

Thirrje për autokritikë dhe reflektim

Presidenti federal u bëri thirrje vendimmarrësve që “të pyesin veten pa kursyer se çfarë kanë lënë pas dore qeveritë federale dhe ato të landeve gjatë tri dekadave të fundit, që kaq shumë njerëz po largohen dhe që ekstremistët po gjejnë kaq shumë jehonë”.

Në kërkim të shkaqeve, politika duhet të shqyrtojë edhe nëse ka bërë mjaftueshëm për të parandaluar papunësinë dhe për të siguruar që më shumë gjermano-lindorë të jenë të përfaqësuar në pozita me ndikim.

“Kini guximin për ripërtëritje”

Gjermania po kalon aktualisht një “krizë vërtet të thellë”, tha Steinmeier. “Nuk mund të arrijmë rritje të re ekonomike nëse gjithçka mbetet siç është”, theksoi ai. Sipas presidentit gjerman Gjermania mund të bëhet më e sigurt dhe më e fortë përmes një procesi të thellë ripërtëritjeje duke fituar gjithashtu “më shumë kapacitet për solidaritet dhe kohezion shoqëror”.Bremen 2026 | Frank-Walter Steinmeier dhe Friedrich Merz

Steinmeier: Nuk mund të arrijmë rritje të re ekonomike nëse gjithçka mbetet siç është.Fotografi: Sina Schuldt/dpa/picture alliance

Një kurs i tillë reformash kërkon shumë energji dhe vendosmëri nga qeveria federale, tha Steinmeier. “Çelësi është vullneti politik për të dalë nga rutinat e ngulitura.” Presidenti i bëri thirrje qeverisë që të vazhdojë me kursin e reformave. “Reformat janë gjithmonë një rrezik, por ne e marrim këtë përsipër për hir të shpresës se mund ta marrim fatin në duart tona. Kur qëllimi është i drejtë, duhet të mbahet kursi”, tha ai.

Sipas Steinmeierit kjo vlen “pavarësisht gjithë skenarëve apokaliptikë dhe parashikimeve pesimiste”. “Qëndroni të vendosur, edhe kur era na fryn përballë. Kini guximin për t’u ripërtërirë!” tha në përfundim të fjalës së presidenti gjerman./DW

 

Fraksiob.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com