Operatori hekurudhor gjerman, i goditur nga kriza, synon një të ardhme të bazuar në Inteligjencën Artificiale
Nga trenat e mbështetur nga inteligjenca artificiale e deri te autobusët e vegjël autonomë, operatori gjerman hekurudhor Deutsche Bahn – që prej kohësh ka qenë objekt talljeje në vend për shkak të mungesës së përpikmërisë – po punon për të ardhmen e lëvizshmërisë.
Megjithatë, për momentin, ky transformim pengohet nga burokracia dhe kostot e larta të modernizimit të infrastrukturës hekurudhore.
Në panairin e fundit tregtar “InnoTrans” në Berlin – një pikë takimi për gjigantët globalë të hekurudhave – ekspertët patën mundësinë të shihnin një pamje të së ardhmes: një tren me ngjyra të ndezura, i quajtur “Treni i Automatizuar”, qëndronte i parkuar mes stendave.
Ai mund të lëvizë pa shofer nga depoja hekurudhore drejt stacionit, me shpejtësi deri në 40 kilometra në orë. Duke përdorur teknologjinë LiDAR (radar me lazer), sensorë tejzanorë dhe kamera infra të kuqe, ai mund të identifikojë rreziqet në shinë dhe të frenojë automatikisht.
Ministria e Ekonomisë e ka subvencionuar programin me 42 milionë euro (47 milionë dollarë), si pjesë e një plani për të shpenzuar 100 miliardë euro deri në vitin 2030 për modernizimin e infrastrukturës së amortizuar të “Deutsche Bahn”, pas dekadash me investime të pamjaftueshme.
“Transporti hekurudhor duhet t’i rikthehet performancës së lartë,” tha Ministri i Transportit, Steffen Bilger, në hapjen e panairit.
Në Gjermani – një vend dikur i njohur për saktësinë, përpikërinë dhe trenat që lëviznin gjithmonë në kohë – ky është një proces ende në zhvillim.
Vitet e fundit, vonesat kronike të trenave gjermanë janë bërë burim i vazhdueshëm frustrimi dhe objekt shakash.
Për më tepër, punimet për përmirësimin e sistemit për të ardhmen po shkaktojnë probleme shtesë në afatshkurtër.
Për shembull, një korridor kryesor hekurudhor midis Berlinit dhe Hanoverit do të mbyllet së shpejti për 14 muaj, për shkak të punimeve të rindërtimit.
Ndërkohë, pasagjerët do të duhet të zgjedhin rrugë alternative më të gjata ose të përdorin autobusë më të ngadaltë.
Pasagjerë të frustruar
Në “InnoTrans”, gjigantët e industrisë si kompania gjermane Siemens, ajo kineze CRRC dhe francezja Alstom demonstruan se si të dhënat mund të përmirësojnë operacionet dhe mirëmbajtjen e trenave.
Ndërkohë, “Deutsche Bahn” prezantoi një asistent virtual për pasagjerët, i cili pritet të vihet në përdorim brenda këtij viti.
Megjithatë, progresi në fushën e digjitalizimit – që përbën bazën për zbatimin e Inteligjencës Artificiale – mbetet i kufizuar në Gjermani. Grupi promovues i transportit hekurudhor “Allianz Pro Schiene” vuri në dukje me keqardhje se, deri në vitin 2025, më pak se dy për qind e rrjetit kombëtar ishte pajisur me Sistemin Evropian të Kontrollit të Trenave (ETCS) – një teknologji e standardizuar sigurie – krahasuar me mesataren evropiane prej nëntë për qind.
Ndërkohë, në Kinë, udhëtimi autonom me trena të shpejtësisë së lartë është realitet që nga viti 2019, duke operuar me shpejtësi prej 350 km/h.
Në Francë, disa qytete kanë operuar linja metroje të automatizuara prej vitesh, ndërsa Gjermania ka vetëm një të tillë, në qytetin e mesëm të Nurembergut.
Sipas një studimi të firmës konsulente BCG, përdorimi i inteligjencës artificiale (IA) në hekurudha mund të kursejë midis 36 dhe 79 miliardë dollarë në kosto dhe të gjenerojë të ardhura shtesë vjetore prej 20 deri në 50 miliardë dollarë në nivel global.
Megjithatë, firma thekson se “një pjesë e madhe e sektorit ende e ka të vështirë t’i shndërrojë këto eksperimente në rezultate të matshme”.
Për kompaninë spanjolle të robotikës “Ostirion”, “industria hekurudhore është mjaft konservatore dhe vërtet duhet ta fitosh besimin e saj”, tha menaxherja teknike Lidia Garcia.
Duke synuar tregun gjerman, kompania ka për qëllim t’i “lehtësojë” drejtuesit e trenave nga detyrat e përsëritura dhe të mundimshme përmes zgjidhjeve të saj të bazuara në IA.
Ajo tha se “Ostirion” mund ta ndihmojë gjithashtu “Deutsche Bahn”-in të përmirësojë marrëdhëniet me pasagjerët, të cilët “shpesh ndihen të frustruar” nga oraret e pasakta dhe komunikimi kaotik.
Skepticizmi i sindikatës
Kompania belge “OTIV” po bashkëpunon me “Deutsche Bahn”-in për sisteme ndihmëse që variojnë nga parandalimi i përplasjeve deri te automatizimi i plotë.
Në stendën e saj në panairin “InnoTrans”, vizitorët mund të drejtonin nga distanca një tren mallrash në Holandë, duke përdorur një panel kontrolli në përmasa reale.
A mund të bëhet kjo së shpejti realitet edhe për transportin e pasagjerëve?
Rregulloret gjermane e komplikojnë situatën, tha drejtuesi i “OTIV”, Sam de Smet, duke iu referuar barrës burokratike që qeveria ka premtuar vazhdimisht se do ta lehtësojë.
“Ka ende shumë punë për të bërë sa u përket autorizimeve dhe përshtatjes së rregulloreve, në mënyrë që të mund të fillojmë vërtet t’i përdorim këto teknologji inovative,” tha ai. Garcia nga Ostirion u pajtua me këtë, duke thënë se ndërsa në të kaluarën zbatimi i risive kërkonte dekada, “me inteligjencën artificiale dhe aplikacione të tjera robotike, gjithçka po lëviz shumë më shpejt”.
Deutsche Bahn po shqyrton mundësinë e zëvendësimit të linjave të saj rajonale të autobusëve me mjete transporti autonome, por e sheh një zbatim të mundshëm vetëm drejt vitit 2045.
Sektori privat po lëviz shumë më shpejt; kompania amerikane Waymo planifikon të nisë shërbimin e “robotaksive” në Mynih deri në fund të vitit 2027.
Në Gjermani, transformimi digjital has gjithashtu skepticizëm nga sindikata e drejtuesve të trenave, GDL.
Kreu i saj, Mario Reiss, deklaroi për AFP-në se ata do të “vëzhgojnë me shumë kujdes nëse premtimi për thjeshtim shndërrohet papritur në një argument për shkurtime të mëtejshme të vendeve të punës”.
“Ne po përpiqemi vërtet të adresojmë mungesën e personelit, jo të zëvendësojmë drejtuesit,” tha Milo Belien, inxhinier softuerik në Futurail, një kompani fillestare (start-up) franko-gjermane që merret me automatizimin e trenave.
Fraksion.com

