“Nuk do t’i lija të tjerët të vdisnin”, piloti i fluturimit të Flydubai tregon sulmin në kabinë nga bashkëpiloti
Piloti indian i avionit të Flydubai, i cili u sulmua nga bashkëpiloti i tij dhe hapi derën e kabinës për të lejuar të tjerët të hynin, tha se ishte i vendosur të mos lejonte që të tjerët të vdisnin.
Kapiteni Smit Machchhar tha se ndodhej i shtrirë në dysheme dhe ende nën sulm kur kuptoi se avioni, që transportonte më shumë se 170 pasagjerë, po humbiste lartësi dhe se duhej të bënte diçka.
“Isha i shtrirë në dysheme i plagosur, por i thashë vetes të bëja një përpjekje të fundit për të hapur derën nga brenda,” tha ai gjatë një lidhjeje video me kryeministrin indian Narendra Modi.
“Të tjerët hynë dhe gjithashtu luajtën një rol [në vënien e situatës nën kontroll]. Sigurisht që po luftoja për jetën time, por në të njëjtën kohë e dija se nuk do t’i lija të tjerët të vdisnin,” shtoi ai.
Fluturimi FZ1073 i Flydubai, që po udhëtonte nga Dubai drejt Tel Avivit herët në mëngjesin e së mërkurës, humbi më shumë se 17,000 këmbë (5,200 metra) lartësi dy orë e gjysmë pas nisjes.
Fillimisht, avioni dërgoi një sinjal urgjence te kontrollorët e trafikut ajror, përpara se të kalonte në kodin “squawk 7500”, i cili tregon rrëmbim të avionit.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u tha më vonë mediave se njëri pilot kishte goditur me thikë tjetrin, përpara se “me sa duket të përpiqej ta rrëzonte” avionin.
Pasi pasagjerët e tjerë neutralizuan sulmuesin, dy pilotë rezervë që ndodheshin në bord e ulën avionin në mënyrë të sigurt në aeroportin e Tabukut, në Arabinë Saudite veriperëndimore, në orën 06:58 me kohën lokale.
Machchhar, i cili u cilësua si “hero i vërtetë” nga Netanyahu, u dërgua në spitalin e Tabukut para se të transportohej me avion në Abu Dabi, ku raportohet se gjendja e tij është e qëndrueshme.
Netanyahu i tha Fox News se sulmuesi ishte shtetas i Omanit dhe se hetimet sugjeronin që ai kishte kaluar një proces “indoktrinimi radikal islamist”. Ai tha se pasi sulmuesi u neutralizua dhe u lidh nga pasagjerët dhe ekuipazhi, ai u bërtiste anëtarëve të ekuipazhit: “Më vrisni, më vrisni”; pra, është e qartë se ai kishte prirje vetëvrasëse – kjo nuk vihet në dyshim.
Emiratet e Bashkuara Arabe kanë nisur hetimet për të përcaktuar “nëse incidenti lidhej me ndonjë aktivitet apo qëllim terrorist”, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve të vendit.
Rrjetet sociale në Indi janë mbushur me vlerësime për Machchhar-in që kur u bë i ditur identiteti i tij.
Ai i tha Modit se kishte 17 vjet që fluturonte me avionë dhe se “mund ta kuptojë se çfarë po ndodh me avionin edhe me sytë mbyllur”.
Kryeministri i tha se “guximi, durimi dhe vendimmarrja e tij e shpejtë shpëtuan jetën e shumë njerëzve” dhe se i gjithë vendi ishte krenar për të.
Ambasada indiane në Emiratet e Bashkuara Arabe njoftoi të enjten se Machchhar gëzonte “shëndet të mirë dhe po shërohej me sukses”. Ambasadori Deepak Mittal u shpreh se ishte “krenar për guximin e kapitenit Smit” dhe se ndjente “lehtësim të madh” që e takoi.
“Nuk e shoh këtë plagë thjesht si një plagë, sepse kjo do ta bënte shërimin tim edhe më të vështirë,” tha Machchhar.
“E shoh si një proces që po ecën ngadalë dhe do të kërkojë kohë, por jam i bindur se shërimi do të vijë dhe unë do të rikthehem në gjendje të mirë shëndetësore.”
Fraksion.com

