Brukseli ofron treg të përbashkët nëse vendet kandidate të BE-së “janë të gatshme njëmend”
Komisioni Evropian ka propozuar krijimin e një tregu të përbashkët për nëntë shtete kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Tregu parashihet në propozimin për ndryshimin e politikës së zgjerimit, në të cilin Radio Evropa e Lirë (REL) ka pasur qasje, dhe miratimi ose publikimi i të cilit pritet më 6 tetor, pas takimit njëjavor të Kolegjiumit të Komisionit Evropian në Strasburg.
Tregu i përbashkët për vendet kandidate përshkruhet si “instrumenti më i fuqishëm i bllokut për nxitjen e prosperitetit dhe konvergjencës ekonomike”.
Qasja në këtë treg, hapësira e përbashkët e BE-së në të cilën mallrat, shërbimet, njerëzit dhe kapitali qarkullojnë lirshëm, deri tani ka qenë plotësisht e mundur vetëm pas anëtarësimit formal.
Megjithatë, që këto propozime, ose disa prej tyre, të hyjnë në fuqi, nevojitet miratimi formal dhe pajtueshmëria e të gjitha shteteve anëtare të BE-së.
Dokumenti do të shërbejë si bazë për diskutimet strategjike ndërmjet liderëve të BE-së në samitin e ardhshëm, i cili do të mbahet më 15 dhe 16 tetor në Bruksel dhe do t’i kushtohet zgjerimit të BE-së.
Vendet kandidate janë: Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnje e Hercegovina, Gjeorgjia, Turqia, Moldavia dhe Ukraina.
Treg përbashkët, por me kushte
Qasja në tregun e përbashkët nuk ofrohet automatikisht, por lidhet qartë me përparimin konkret të vendeve kandidate në procesin e reformave.
“Përparimi i krahasueshëm duhet të çojë në mundësi të krahasueshme”, thuhet, ndër të tjera, në draft-dokumentin e Komisionit Evropian.
Dokumenti parashikon gjithashtu mekanizma mbrojtës kundër “ngecjes” në reforma, që do të thotë se qasja e fituar një herë nuk është domosdo e përhershme.
Megjithatë, dokumenti nuk përmban kritere të sakta, afate kohore apo rrethana të përcaktuara qartë se në cilat kushte qasja mund të pezullohet.
Çfarë ofrohet dhe çfarë ekziston tashmë?
Propozimet e reja të Komisionit Evropian parashikojnë përfshirjen e hershme të vendeve kandidate në sektorë të përzgjedhur, veçanërisht në fushën e teknologjive kritike, ekosistemeve industriale, integrimit financiar dhe zinxhirëve të qëndrueshëm të furnizimit.
Propozohet gjithashtu pjesëmarrja në programin “Horizont Evropa”, programin kryesor të BE-së për financimin e kërkimit dhe inovacionit, si dhe në projekte të rëndësishme me interes të përbashkët evropian.
SEPA tashmë është në dispozicion për shumicën e vendeve kandidate. Pesë vende, Shqipëria, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, i janë bashkuar zyrtarisht SEPA-s.
Situatë e ngjashme është edhe me ofertën që lidhet me heqjen e tarifave të roamingut. Ukraina dhe Moldavia e përdorin këtë regjim që nga fillimi i këtij viti, ndërsa Komisioni Evropian planifikon që vitin e ardhshëm heqjen e tarifave ta zgjerojë edhe në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Cili është përfitimi nga tregu i përbashkët?
Përfitimet e integrimit evropian do të vinin shumë më herët se vetë anëtarësimi, thotë Korina Stratulat, zëvendësdrejtore në Qendrën për Politika Evropiane.
“Megjithatë, oferta duhet të jetë po aq e qartë sa edhe kushtet: çfarë qasjeje sigurojnë kandidatët, kur e sigurojnë atë dhe çfarë do ta justifikonte pezullimin e saj. Kandidatët duhet ta dinë se çfarë do t’u mundësojë përmbushja e kushteve, dhe jo vetëm se sa mund t’u kushtojë mos përmbushja e tyre”, thotë Stratulat për REL-in.
“Integrimi gradual duhet të mbetet rrugë drejt anëtarësimit, dhe jo një dhomë pritjeje e përhershme”, theksoi ajo.
Oferta për qasje në tregun e përbashkët lidhet gjithashtu me Marrëveshjen ekzistuese të Stabilizim-Asociimit (MSA), të cilën secili vend kandidat e ka me Bashkimin Evropian. Kjo marrëveshje përbën kornizën ligjore për afrimin gradual të vendeve kandidate me tregun e përbashkët.
MSA-ja u mundëson kështu vendeve kandidate që, edhe para anëtarësimit të plotë, të përfitojnë nga një pjesë e përfitimeve ekonomike të integrimit, ndërsa njëkohësisht i përgatit ato për integrimin e plotë në tregun e përbashkët.
Çfarë tjetër ofrohet?
Qasja në tregun e përbashkët është vetëm një pjesë e dokumentit të gjerë, në të cilin Komisioni Evropian paraqet propozime të reja, nga të cilat del se vendet e ardhshme anëtare, në momentin e anëtarësimit, nuk do të gëzojnë domosdo të njëjtat të drejta si shtetet aktuale anëtare.
Elementi më i ndjeshëm i draftit lidhet me kufizimin e së drejtës së vetos, e cila në dokument përshkruhet në mënyrë simbolike si “angazhim i përkohshëm në lidhje me vendimmarrjen në Këshillin e BE-së dhe Këshillin Evropian”.
Shteteve anëtare u propozohet që në një numër të caktuar fushash, përfshirë zgjerimin, të kalojnë nga vendimmarrja unanime në vendimmarrje me shumicë të cilësuar.
Sipas propozimit, vendimet për hapjen ose mbylljen e kapitujve të negociatave do të merreshin me shumicë të cilësuar, ndërsa vendimi për pranimin e një anëtari të ri do të vazhdonte të merrej në mënyrë unanime.
Ku janë dobësitë e ofertës?
Në “çekuilibër”, është e bindur Korina Stratulat.
“Për kandidatët vendosen kushte të rrepta, ndërsa Bashkimit, në përgjithësi, i ofrohen mundësi dhe jo detyrime”, thekson Stratulat.
Ajo vlerëson se përdorimi më i mirë i marrëveshjeve ekzistuese ka kuptim, por vetëm renditja e instrumenteve nuk është e njëjtë me një detyrim që ato do të përdoren.
“BE-ja duhet të thotë se çfarë do të ndryshojë, kush do ta zbatojë dhe brenda cilit afat. Përndryshe, kushtet më të rrepta për anëtarësim rrezikojnë të bëhen zëvendësim për zgjidhjen e dobësive të vetë Bashkimit”, deklaroi ajo.
Fraksion.com

