AktualitetBota+Të fundit

Si hynë pasagjerët e Flydubai në kabinën e pilotit që ishte e mbyllur?

Po shtohen pyetjet se si pasagjerët arritën të hynin në kabinën e pilotit dhe të ndalonin atë që dukej si një përpjekje për rrëmbimin e avionit të kompanisë Flydubai të mërkurën.

Autori i dyshuar, një nga pilotët, goditi me thikë kolegun e tij brenda kabinës ndërsa avioni po binte me shpejtësi – derisa pasagjerët arritën ta neutralizonin, ta frenonin dhe ta stabilizonin avionin.

Izraeli ka deklaruar se kapiteni i plagosur, Smit Machchhar, e zhbllokoi kabinën nga brenda gjatë sulmit.

“Pavarësisht se ishte plagosur rëndë, ai arriti ta zhbllokonte derën e kabinës, duke u mundësuar pasagjerëve izraelitë dhe ekuipazhit nga Emiratet të ndërhynin dhe të shpëtonin të gjithë pasagjerët,” shkroi Ministria e Jashtme e Izraelit në një postim në platformën X.

Josh McConkey, kolonel në rezervë të Forcave Ajrore të SHBA-së dhe mjek urgjence, tha se industria e aviacionit i rishikoi rrënjësisht masat dhe protokollet e sigurisë pas sulmeve të 11 shtatorit – përfshirë përforcimin e derës së kabinës për të parandaluar rrëmbimet e mundshme.

“Nëse dikush nuk mund ta hapë atë nga brenda, nuk ke si të hysh,” tha McConkey, i cili gjithashtu kandidon për postin e zëvendësguvernatorit të Karolinës së Veriut.

“Kjo është një nga gjërat që e bën këtë ngjarje kaq të jashtëzakonshme: piloti, pasi është goditur me thikë dhe është në prag të vdekjes e po humbet shumë gjak, arrin të zgjasë dorën dhe ta zhbllokojë atë derë; më pas, një individ i rastësishëm hyn brenda dhe e nxjerr avionin nga ajo rënie e pjerrët. Është një mrekulli,” tha ai.

Pas 11 shtatorit, kompanitë ajrore amerikane u detyruan të instalonin përforcime të përhershme në të gjitha dyert ekzistuese të kabinave të pilotëve dhe t’i përfshinin ato në avionët e rinj. Shumë kompani ajrore dhe prodhues zgjodhën të përdornin materiale anti-plumb, materiale të përbëra (kompozite), si dhe korniza e brava të përforcuara. Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil, një agjenci e OKB-së që mbikëqyr aviacionin global, ka një kod standardesh të ngjashëm që ndiqet nga vendet anëtare.

Hetuesit që po shqyrtojnë incidentin e Flydubai ka shumë të ngjarë të analizojnë fillimisht regjistruesin e të dhënave të fluturimit dhe regjistruesin e zërit në kabinë, tha Marco Chan, lektor i lartë për operacionet e aviacionit në Universitetin Kingston të Londrës. Ata gjithashtu do të marrin në pyetje ekuipazhin, pilotët që nuk ishin në shërbim dhe pasagjerët, për të përcaktuar – krahas çështjeve të tjera urgjente – se si u hap dera e kabinës.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com