Goditet grupi i prostitucionit në kryeqytet, arrestohen tre shtetase kineze dhe dy vietnameze, shpallet në kërkim një tjetër
Pesë shtetase të huaja janë arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se ushtronin prostitucion në apartamente të marra me qira ditore, ndërsa aktiviteti reklamohej edhe në rrjetet sociale. Operacioni i koduar “Last meeting” u finalizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, pas punës operative dhe monitorimit të hapësirës digjitale me qëllim identifikimin e rasteve të reklamimit të kësaj veprimtarie.
NJOFTIMI I POLICISE
Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Last meeting”, kundër ushtrimit të prostitucionit, në banesa me qira ditore, veprimtari e cila reklamohet edhe në rrjete sociale.
Arrestohen 5 shtetase të huaja (3 vietnameze dhe 2 kineze) që ushtronin këtë veprimtari në 3 apartamente në rrugët “Qemal Stafa”, “Him Kolli” dhe “Tomor Malasi”. Shpallet në kërkim një shtetas vietnamez që shfrytëzonte 3 prej shtetasve të arrestuara, me të njëjtën shtetësi.
Vihen në hetim 2 shtetas, përfitues nga kjo veprimtari. Sekuestrohen 5 celularë me të cilët kryheshin postime rreth kësaj veprimtarie.
Si rezultat i punës operative dhe monitorimit në hapësirën digjitale, me objektiv konstatimin dhe goditjen e rasteve të reklamimit në rrjete sociale, të prostitucionit që ushtrohet nga shtetase të huaja, në banesa të marra me qira ditore, në kryeqytet, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve finalizuan operacionin e koduar “Last meeting”.
Gjatë operacionit u arrestuan shtetaset që ushtronin këtë veprimtari në 3 apartamente, V. P., 40 vjeçe, P. K., 42 vjeçe dhe P. M., 33 vjeçe, të trija vietnameze, si dhe L. Y., 42 vjeçe dhe X. H., 42 vjeçe, të dyja kineze. Më tej, u shpall në kërkim shtetasi vietnamez, T. T., 35 vjeç, pasi dyshohet se ka siguruar kundrejt përfitimeve, kushtet për kryerjen e kësaj veprimtarie nga 3 shtetaset vietnameze të arrestuara. Punohet intensivisht për kapjen e këtij shtetasi. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Fraksion.com

