Presidentja e KE-së sot në Tiranë, në fokus integrimi dhe Plani i Rritjes
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen nis sot nga Tirana vizitën e saj të gjashtë vjetore në rajon.
Sipas njoftimit zyrtar të Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen do të zhvillojë vizitë edhe në Kosovë, Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut.
Takimet e presidentes së KE-së do të fokusohen te hapat e mëtejshëm për avancimin e vendeve kandidate në rrugën drejt BE-së dhe procesin në vijim të integrimit gradual, të mbështetur nga Plani i Rritjes prej 6 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor.
Presidentja von der Leyen do të zhvillojë sot takim me Presidentin Bajram Begaj dhe Kryeministrin Edi Rama.
Zyra e shtypit e qeverisë njofton se në orën 16:30 Ursula von der Leyen do të mbërrijë në Kryeministri ndërsa në orën 17:30 do të mbahet konferenca e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama.
Ajo do të vizitojë gjithashtu projektet e financuara nga BE: shkollën “Emin Duraku” në Tiranë e cila u rindërtua pas dëmtimeve të shkaktuara nga tërmeti i vitit 2019.
Të enjten, Presidentja von der Leyen do të udhëtojë drejt Prishtinës, ku do të takohet me Presidenten në detyrë, Albulena Haxhiu dhe Kryeministrin Albin Kurti. Po gjatë ditës së nesërme, Presidentja do të takohet në Podgoricë me Presidentin Jakov Milatović dhe Kryeministrin Milojko Spajić.
Ajo do të vizitojë godinën e re të Fakultetit të Matematikës dhe Shkencave të Natyrës në Prishtinë si dhe Korridorin VIII hekurudhor në Maqedoninë e Veriut.
Vizita do të përfundojë të premten në Shkup, ku Presidentja von der Leyen do të zhvillojë takime me Presidenten Gordana Siljanovska-Davkova dhe Kryeministrin Hristijan Mickoski.
Në Podgoricë, ajo do të marrë pjesë në inaugurimin e Qendrës Kombëtare të Koordinimit, një qendër e re operative që synon të forcojë menaxhimin e kufijve të Malit të Zi dhe të mundësojë shkëmbim më të mirë të informacionit me shtetet anëtare të BE-së dhe Frontex-in.
Fraksion.com

